Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Analizat gjejnë baktere të gjalla mbi normat e lejuara në ujin e pijshëm në Gorancë

Baktere të gjalla mbi normat e lejuara kanë rezultuar të kenë mostrat e ujit të marra në fshatin Gorancë të Hanit të Elezit, ku qindra qytetarë morën trajtime me simptoma të njëjta që disa ditë.

Të martën, u bë e ditur se nga analizat fizikokimike ka rezultuar se mostrat janë brenda standardeve të lejuara për ujin e pijshëm, edhe pse në burimet e ujit në këtë fshat s’ka sistem të klorit. Ndërkaq, të enjten, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në mostrat nga aspekti mikrobiologjik kanë rezultuar të kenë baktere të gjalla mbi normat e lejuara dhe streptokokë me prejardhje fekale. Nga mostrat e fecesit të rasteve simptomatike janë izoluar E.coli enteroaggregative dhe Norovirus, sipas njoftimit.

“Nga aspekti mikrobiologjik në mostrën e ujit të marrë në fshatin Seqishtë janë prezente numri i tërësishëm i baktereve të gjalla, ndërsa në mostrën e ujit të marrë në fshatin Gorancë janë prezente numri i tërësishëm i baktereve të gjalla mbi normat e lejuara dhe Streptokoke me prejardhje fekale”, thuhet në njoftimin e MSH-së për analizat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Deri të martën 240 persona kishin kërkuar trajtim mjekësor. Ndërsa në 24 orët e fundit edhe 37 të tjerë kanë kërkuar ndihmë. Të gjitha rastet ishin nga fshati Gorancë dhe kishin simptomatologji të njëjtë me: ethe, temperaturë, kokëdhembje, mundim, vjellje dhe barkqitje. Nga banorët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore nuk ka të hospitalizuar dhe nuk ka pasur asnjë rast të vdekjes.

Rekomandimet e IKSHPK-së janë që të raportohen menjëherë rastet e dyshimta të helmimit; të vlohet uji që përdoret për pije ose të shfrytëzohen resurse të tjera me ujë të sigurt; të instalohet klorinatori; të përcillet cilësia e ujit e të merren të gjitha masat për vetëdijesim të qytetarëve.