Kosova e Serbia pritet që të rifillojnë bisedimet në muajin e ardhshëm, në një përpjekje për t’i hapur rrugë arritjes së një marrëveshjeje detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Deri më tani autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar se arritja e marrëveshjes pritet të ndodhë brenda një periudhë nëntë muajshe.
Por, çështja më e debatueshme është se cilat do të jenë kompromiset që duhet t’i bëjnë të dyja vendet në mënyrë që ky proces të përmbyllet.
Presidenti i Serbisë, Alëksandër Vuçiq vazhdimisht thekson se të dyja palët duhet të humbin nga pak, ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thekson se të dyja palët duhet të përfitojnë nga ky proces.
Analistët në Prishtinë thonë se me marrëveshjen e re pritet që Serbia të bëjë hapa përpara drejt integrimit në Bashkimin Evropian ndërsa Kosovës pritet t’i ofrohet anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Drejtori ekzekutiv i Grupit Ballkanik për studimin e politikave, Naim Rashiti në një bisedë me “Zërin e Amerikës” se marrëveshja e ardhshme duhet të jetë e tillë që të mos lejojë paqartësi në të ardhmen. Ai thotë se njohja e ndërsjellë do të jetë e vështirë pasi që sipas tij për këtë çështje ka edhe mungesë të bashkërendimit ndërmjet vendeve kryesore perëndimore.
Edhe
S’priten rezultate konkrete nga takimi i gushtit mes Kurtit e Vuçiqit
Rashiti thotë se bisedimet pritet të jenë shumë të ndërlikuara.
“Ideja është çfarë kërkon (Aleksandër) Vuçiq dhe qeveria serbe në kompensim të dhënies ose konsensusit të tyre për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe krejt kjo betejë që bëhet për heqjen e njohjeve për pengimin në anëtarësimet ndërkombëtare bëhet për të rritur pazaret në fund, e ky pazar ka të bëjë kryesisht me statusin e serbëve të cilët ata duan natyrisht një autonomi shumë më të gjere se sa edhe që asociacioni e ofron”, tha Rashiti.
Labinot Greiçevci nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit, thotë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë përpjekje që të arrijnë marrëveshje me Serbinë pasi që është në të mirën e konsolidimit të shtetësisë së saj.
“Nëse nuk do të kemi një marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë deri në qershorin e vitit të ardhshëm atëherë janë gjasat reale që kjo çështje do të mbetet edhe për një dekadë të ardhshme dhe nëse vazhdon kjo gjendje mendoj se humbësja më e madhe në këtë aspekt ose në këtë kontekst është vet Kosova sepse ka nevojë që të tejkalojë këtë gjendje dhe të vazhdojë konsolidimin e jashtëm dhe të brendshëm”, tha Greiçevci.
Analistët procesin përfundimtar të bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë e shohin të vështirë. Ndërsa ndajnë mendime të ndryshme për përkrahjen ndërkombëtare për Kosovën.
“Ky proces do të jetë më i vështirë se sa i viteve 2007 e 2008 në Vjenë ku kishte një bashkërendim të madh të faktorit ndërkombëtarë dhe nja makineri e cila rregullonte dhe mirëmbante procesin në tërësi. Tani nuk e kemi, kemi një vullnet por nuk kemi bashkërendim për këtë temë dhe nuk jam i sigurt që do të ketë dhe për të qenë më optimist se procesi do të përmbyllet do të duhet të shohim një bashkërendim Bashkim Evropian-Gjermani-Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse duam të shohim një përmbyllje të saktë të procesit. Deri më tani kemi parë vullnet por jo edhe veprime”, tha Rashiti.
“Është një momentum i ri ku kemi aktivizimin e akterëve kryesorë ndërkombëtarë të vendeve të Quint-it dhe kjo duhet të përdoret ose shfrytëzohet nga institucionet e Kosovës në mënyrë që të arrihet deri te zgjidhja e kësaj nyje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pikërisht ky aktivizim i faktorëve ndërkombëtarë krijon një shpresë se mund të arrihet ajo marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës e Serbisë”, tha Greiçevci.
Edhe
Në dialog s’pritet diçka historike të paktën deri pas zgjedhjeve në Serbi
Analistët thonë se anëtarësimi i Kosovës në organizatën e Kombeve të Bashkuara edhe pas një marrëveshje me Serbinë do të jetë i vështirë pasi që sipas tyre rol të rëndësishëm pritet të ketë Rusia e cila vazhdon të mbështesë qëndrimin e Beogradit kundrejt statusit politik të Kosovës.
Ata thonë po ashtu se edhe nëse arrihet një marrëveshje në fillim të vitit të ardhshëm, zbatimi i saj në praktikë do të zgjatë për shkak të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë.