Verifikimi i jashtëzakonshëm i njehsorëve elektrikë rreth dyshimeve për keqfunksionim nga ana e zyrtarëve të Agjencisë së Metrologjisë edhe sivjet do të bëhet në laborator të KEDS-it, pronare e të cilit është kjo kompani.
Laboratori i matjeve elektrike në kuadër të Agjencisë së Metrologjisë nuk pritet të akreditohet gjatë këtij viti, ani se është i furnizuar me pajisje të kalibruara në laboratorët evropianë.
Nga kjo agjenci thonë se akreditimi i laboratorit nuk është obligim ligjor, porse me Ligjin për Metrologjinë parashihet që verifikimi i njehsorëve të bëhet nga një trup i akredituar.
“Me qëllim të prezantimit të kompetencës teknike, AMK-ja ka ngritur Sistemin e Menaxhimit të Cilësisë për të gjithë laboratorët e saj, e që Laboratori i matjeve elektrike është duke u përgatitur për akreditim, sipas Standardit ISO/IEC 17025:2017 dhe është paraparë të akreditohet gjatë vitit 2024”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë së Metrologjisë të Kosovës.
KOHA raportoi ditë më parë se si nga shtatori i 2021-tës, AMK-ja i është kthyer praktikës së vjetër të verifikimit të njehsorëve në laborator të KEDS-it, ani se një gjë e tillë ishte ndaluar me arsyetimin se përbën shkelje të Ligjit për Metrologjinë.
Nga AMK-ja fillimisht patën thënë për KOHËN se verifikimi po bëhet në laborator të saj e nga zyrtarë të saj, por më pas pranuan se është bërë në laboratorin e KEDS-it.
Tërheqja e njehsorëve nga terreni te konsumatorët bëhet nga punëtorët e KEDS-it, por Ligji parasheh që blomba shtetërore nuk guxon të largohet nga punëtorë të KEDS-it.
Për këtë pati edhe rast në gjykatë, kur u hodh poshtë akuza për vjedhje ndaj një qytetari, pasi që u vërtetua se KEDS-i pati bërë shkelje në procedura.
Sipas vendimit, KEDS-i do të duhej ta bënte vetëm shkyçjen e jo edhe tërheqjen e njehsorit, pa praninë e zyrtarëve të AMK-së.
Nga KEDS-i nuk i janë përgjigjur pyetjes së KOHËS se sa kërkesa për verifikim të jashtëzakonshëm të njehsorëve janë bërë. E në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë bënë të ditur se brenda katër muajsh janë verifikuar afro 1 mijë njehsorë elektrikë, prej të cilëve 268 i patën blombat e dëmtuara.