Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Oleksandr Aleksandrovych, ka thënë se Ukraina nuk do të ndryshojë qëndrim karshi shtetit të Kosovës.
Aleksandrovych ka thënë për mediumin serb Alo, se Ukraina nuk ka marrë kërkesë nga Kosova për njohjen e shtetit të saj, dhe se qëndrimi i Ukrainës është i pandryshueshëm.
“Me sa di unë nuk kemi marrë një kërkesë të tillë. Qëndrimi parimor i Ukrainës për respektimin e integritetit territorial të vendeve të tjera, përfshirë Serbinë, është i njohur dhe i pandryshueshëm”, ka thënë ai.
Aleksandrovych ka falënderuar Serbinë për qëndrimin e saj, duke votuar pro Ukrainës në OKB, ku 141 shtete mbështetën Ukrainën dhe dënuan agresionin rus dhe vetëm pesë vende ishin kundër, përfshirë Rusinë dhe Bjellorusinë.
Ndërkohë, Kosova i është bashkuar shteteve perëndimore, duke vendosur një varg sanksionesh ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.