Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ambasadori shqiptar kritikon mediat e politikanët britanikë për demonizim të shqiptarëve

uran ferizi amb

Shqiptarët në Britani po e paguajnë çmimin në shkolla dhe në vendet e punës, si pasojë e faktit se po lihen fajtorë pa qenë nga mediat dhe politikanët e krahut të djathtë, ka thënë ambasadori shqiptar atje.

Uran Ferizi ka kritikuar gjithashtu Shabana Mahmood, ministren e Brendshme, për komentet në Parlament ku ajo veçoi shqiptarët gjatë diskutimit të problemeve me migracionin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Fiksimi për demonizimin e shqiptarëve ka arritur deri në foltoren parlamentare”, i tha ambasadori gazetës "The Guardian".

“Kur një ministër përmend një kombësi në parlament, në vend që të flasë për një sjellje apo një lloj të caktuar krimi, ai nuk përshkruan një problem, por krijon një objektiv”.

Ferizi reagoi kundër raportimeve që ai i quajti të gabuara nga “The Telegraph” dhe të tjera media lidhur me shkallën e përfshirjes së shqiptarëve në krim në Mbretërinë e Bashkuar.

Por ai gjithashtu e zgjeroi kritikën, duke lënë të kuptohet se kundërshtonte edhe komentet e politikanëve me prejardhje nga jashtë, përfshirë Mahmoodin, Suella Braverman dhe të tjerë.

“Është veçanërisht demoralizuese të shohësh politikanë që janë vetë emigrantë të gjeneratës së dytë duke sulmuar emigrantët që kanë ardhur pas tyre në Britani”, theksoi ai.

Ambasadori theksoi se ndikimi i paraqitjeve negative të shqiptarëve në media dhe nga politikanët është ndier nga komuniteti, përfshirë punëtorë, familje dhe nxënës shkollash.

Sipas tij, në shtypin britanik është krijuar një model ku statistika të përzgjedhura nxirren jashtë kontekstit.

“Oportunistë, që e quajnë veten ekspertë, përhapin teori dhe shifra të sajuara për shqiptarët, veçanërisht kur afrohen zgjedhjet”.

Ferizi përmendi një analizë në “Daily Telegraph” në vitin 2024, e cila pretendonte se një në 50 shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar ishte në burg, norma më e lartë nga çdo kombësi. Megjithatë, ai deklaroi se kjo ishte arritur përmes një procesi “që injoron procedurat më elementare për të siguruar saktësinë statistikore”.

Ambasadori e krahasoi këtë që po u bëhet shqiptarëve me përvojën e grupeve të mëparshme të migrantëve në Britani.

“Kjo u ka ndodhur hebrenjve, irlandezëve. Çdo herë, narrativa pasqyronte më shumë ankthin e kohës sesa karakterin e njerëzve”, u shpreh ai.

Referenca e ambasadorit ndaj Mahmoodit lidhej me komentet e saj në parlament në nëntor, kur ajo paraqiti plane kontroverse për ndryshimet më të mëdha në ligjet e azilit në 40 vjetët e fundit.