Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ambasada sllovene ndau certifikatat për seminaristët në Mitrovicë

Ambasadori i Sllovenisë në Prishtinë, Bojan Bertoncel, ka vizituar sot Mitrovicën. Ajo është pritur nga nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka dhe ka marrë pjesë në shpërndarjen e certifikatave për drejtorë dhe mësimdhënës të shkollave të mesme të ulëta, pjesëmarrës në seminarin Trajnimi i mësimdhënësve në Programin për të drejtat e fëmijëve ”Të drejtat tona”.

Nënkryetari Mujka falënderoi ambasadorin Bertoncel, për vizitën në Mitrovicë si dhe popullin dhe shtetin slloven për mbështetjen e pakursyer që po i japin Republikës së Kosovës dhe popullit të saj. Ai në vazhdim e njoftoi ambasadorin Bertoncel për gjendjen e përgjithshme në Komunën e Mitrovicës, me theks të veçantë në arsim.

Ambasadori Bertoncel tha se Sllovenia dhe populli slloven e kanë mbështetur dhe do ta mbështesin Kosovën në të ardhmen.

Në takimin e mësimdhënësve ku iu ndanë certifikatat për pjesëmarrje në seminarin “Trajnimi i mësimdhënësve në Programin për të drejtat e fëmijëve ”Të drejtat tona”, ambasadori slloven, Bertoncel tha se shpreson që trajnimi t’u hyjë në punë mësimdhënësve për të transmetuar më pastaj tek nxënësit përvojat për të drejtat e fëmijëve.

Drejtori i IPEDU, Ramush Lekaj, dhe drejtori i Arsimit, Iset Beka, falënderuan ambasadorin slloven për mbështetjen që po i jep arsimit dhe Kosovës në përgjithësi.