Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka thënë se është për të ardhur keq që ka pasur përparim shumë të kufizuar drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë dhe aneksin e implementimit.
Të martën është shënuar një vit që kur është arritur Marrëveshja Bazë në Bruksel.
“Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, dje sërish ka theksuar pasojat e kësaj, duke treguar se Kosova e Serbia s’do të përparojnë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, nëse nuk bëjnë përparim në zbatimin e Marrëveshjes së vitit të kaluar, si dhe të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut”, ka thënë për KOHËN, kreu për Kulturë, Media dhe Komunikim në Ambasadën e Gjermanisë, Christian Boettcher.
Ai ka thënë se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin, ndërsa po ashtu ka kritikuar “zbatimin e nxituar të rregullores së BQK-së”.
“Kosova duhet të bëjë hapin e radhës duke e themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Për më tepër, duhet evituar çdo lloj përshkallëzimi në veri. Është me rëndësi të afrohet komuniteti serb në Kosovë dhe të përfshihen ata në procese. Atë që po shohim aktualisht me zbatimin e nxituar të rregullores së BQK-së është e kundërta e një qeverisjeje gjithëpërfshirëse. Duke e pasur parasysh faktin se edhe presidenti Vuçiq edhe kryeministri Kurti e kanë pranuar verbalisht marrëveshjen dhe zbatimin e saj para Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, ne e konsiderojmë marrëveshjen në fjalë ligjërisht të obligueshme. Gjermania vazhdon të presë vullnet politik dhe fleksibilitetin e nevojshëm nga të dyja palët për zbatimin e marrëveshjes së dakorduar bashkërisht në Bruksel e Ohër. Ne vazhdojmë të mbështesim gjitha aspektet që do të jenë të mira për Kosovën, por edhe për Serbinë dhe gjithë rajonin, pasi do të përshpejtojnë ndjeshëm rrugën e dyja vendeve drejt anëtarësimit të dëshiruar në BE”, ka thënë Boettcher.