Ambasada e SHBA-së në Tiranë e konsideroi vendimin e një dite më parë të gjykatës për ish-ministrin Saimir Tahiri, si demonstrim të pavarësisë në rritje të gjyqësorit.
“Vendimi i djeshëm kundër ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta”, thotë ambasada e SHBA-së në Tiranë.
Megjithatë, sipas ambasadës dënimi është dekurajues, transmeton kp.
“Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është dekurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat. Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten partnerë të Shqipërisë, në mbështetje të përparimit të mëtejshëm të Reformës në Drejtësi, transparencës dhe qeverisjes së mirë”, shprehet Ambasada.
E për këtë ka reaguar edhe ambasadori i Britanisë në Tiranë, Duncan Norman, rreth vendimit të marrë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për “çështjen Tahiri”.
Në një postim të tijin në rrjetin social “ Twitter”, ai thotë se ky vendim tregon se gjyqësori në Shqipëri po bëhet më i përgjegjshëm, transmeton TCH.
“Vendimi mbi Saimir Tahirin tregon se sistemi ligjor i Shqipërisë po bëhet më i përgjegjshëm. Por dështimi për të dhënë dënim mbi akuza akoma më serioze, shtron pyetje dhe tregon rëndësinë e finalizimit të reformës gjyqësore”, ka shkruar Norman.
Prokuroria e akuzonte Tahirin për tre vepra penale: “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.