Arbëri

Saimir Tahiri nuk shkon në burg

Gjykata e Krimeve të Rënda ka marrë vendimin për Saimir Tahirin. Ish-ministri nuk shkon në burg, por do të jetë për 3.4 vjet në shërbim prove, transmeton Top Channel.

Gjykata ka pranuar vetëm akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, duke e dënuar Saimir Tahirin me 5 vjet heqje lirie, por ky vendim është konvertuar në shërbim prove për 3.4 vjet.

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkonte 12 vite burgim për ish-ministrin, por me gjykim të shkurtuar kërkesa përfundimtare shkonte në 8 vite.

Prokuroria e akuzonte Tahirin për tre vepra penale: “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.

"Veprimtaria e Shërbimit të Provës është shërbim publik që kryhet në interes të komunitetit, i cili synon rehabilitimin shoqëror të shkelësve të ligjit, uljen e rrezikut të përsëritjes së veprave penale dhe rritjen e sigurisë shoqërore. Aplikimi i masave alternative të dënimit me burgim, synon uljen e kostove sociale të dënimeve penale dhe ruajtjen e sigurisë shoqërore", thuhet në Kushtetutën e Shqipërisë.


Pas dënimit, Saimir Tahiri, pas daljes nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ka thënë se u vërtetua që ai s’është kriminel.

“Gjykata tha nuk jam kriminel, nuk jam trafikant, nuk jam pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, por meqë me disa kushërinj kemi përdorur një makinë, jam shpallur fajtor për shpërdorim detyre”, tha ish-ministri i Brendshëm.

Tahiri e konsideroi disa herë si absurd vendimin e dhënë sot nga Gjykata, ku ai u dënua me 3.4 vite shërbim prove vetëm për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Ai paralajmëroi se do e apelojë edhe këtë vendim.