Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Aliu: Moszbatimi i ligjeve, problemi kyç për ndarjen e pasurisë së përbashkët

Luljeta Aliu, ndarja e pasurisë së përbashkët, maj 2022

Drejtoresha e Iniciativës për Drejtësi dhe Barazi “INJECT”, Luljeta Aliu, ka thënë se përveç mentalitetit që gratë janë parë më shumë si pronë sesa pronare të një prone, zbatimi i ligjeve në Kosovë është një prej problemeve kyç kur bëhet fjalë për ndarjen e pasurisë së përbashkët.

E ftuar të hënën në emisionin “SOT” në KTV, Aliu ka thënë se vetëm 12 deri në 14 për qind të pronave në vend janë në emër të grave.

“Drejtësia në Kosovë edhe me kërkesat që i kemi për vetting - edhe me kritikat për zvarritje - ka qenë e vështirë për të gjithë qytetarët. Grupet e cenueshme e kanë gjithmonë më të vështirë përballjen me secilën sfidë dhe kjo për gratë është më e theksuar për shkak se kanë më pak resurse, qoftë financiare apo humane për të arritur më shpejt te të drejtat e tyre”, ka thënë ajo.

Sipas Aliut, edhe gjyqtarët në Kosovë janë të ndikuar nga një mentalitet patriarkal që e mbisundon profesionalizmin e tyre.

“Për shkak se e shohin më shumë prej mendësisë tyre tradicionale me të cilën janë rritur sesa prej zbatimit të ligjit. Më ka ndodhur kur diskutoj me gjyqtarë të shkallëve të ndryshme të gjyqësorit që mendojnë se nuk është e drejtë që prona të ndahet në mënyrë të barabartë nëse njëri bashkëshort ka punuar”, ka thënë ajo.

Drejtoresha e INJECT-it ka shtuar se nuk ka dallim midis kontributit financiar dhe atij jofinanciar brenda ligjit, mirëpo në gjyqësor këtë e bëjnë edhe pse nuk ka bazë juridike.

Këshilltarja ligjore e organizatës, Edona Selimi, ka thënë se lëndët e grave që kërkojnë të drejta pronësore nga institucionet marrin kohë të gjatë për t’u shtjelluar.

“Kemi raste të palëve tona, vetëm një grua është që 18 vjet në procedura gjyqësore për të kërkuar ndarje të pasurisë së përbashkët me ish-bashkëshortin e saj. Edhe pse Kosova ka një kornizë ligjore që i siguron qasje të barabartë edhe grave edhe burrave në qasjen në prona, por kjo kornizë has nëpër sfida në praktikimin e këtyre ligjeve dhe sa është e përshtatshme me normat dhe mentalitetin e shoqërisë ku është krijuar”, ka thënë ajo në emisionin “SOT”.

Image

Më 25 maj, do të mbahet një konferencë ku do të diskutohet për sigurimin e të drejtave pronësore të grave. Aliu ka thënë se hulumtimi që do të paraqitet në këtë konferencë është bërë prej analizës që u është bërë vendimeve gjyqësore.

“Qasjen e grave në financa, në pasuri në pronë e kemi analizuar për 10 vitet e fundit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku prej të gjitha rasteve të divorcit, vetëm 187 prej tyre kanë kërkuar ndarje të pasurisë”, ka thënë Aliu.

Sipas saj, ka praktika kur gruas i ofrohet paga minimale me standardin e Kosovës në mënyrë që të heqë dorë nga kërkesa për ndarje të pasurisë, nuk është e bazuar në asnjë rregullore apo ligj.

Video: 

 

Artikuj të ngjashëm