Luljeta Aliu nga Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi “INJECT” ka thënë se dhuna ekonomike është baza e të gjitha formave të tjera të dhunës e se diskutimi për të është i ri për shoqërinë kosovare.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Aliu ka thënë se të gjitha format e dhunës nisin nga ajo ekonomike, që më pas përshkallëzon edhe në psikike e fizike.
“Dhuna ekonomike është baza e të gjitha formave të tjera të dhunës pasi nënkupton mohimin e qasjes në të mira financiare, në pavarësinë ekonomike, që mund të jetë sabotimi i punës, të mos i lejohet puna personit, në të shumtën e rasteve grave. Tjetra është abuzimi me financa kur nuk i lejohet qasja në pasurinë e përbashkët. Të gjitha rastet e dhunës fizike si fillim fillojnë me nënshtrimin ekonomik dhe varësinë ekonomike, pastaj shfaqet në forma të dhunës tjetër”, ka thënë ajo.
Aliu theksoi se në Kosovë vetëm një rast është paraqitur në drejtësi për dhunë ekonomike.
“Në Kosovë nuk është se kemi pasur ndonjë trajtim të dhunës ekonomike. Ekziston një rast i vetëm, përndryshe nuk është se e kanë trajtuar gjyqtarët. Në botë një prej tri grave është viktimë e dhunës ekonomike”, ka shtuar Aliu.
Ajo ka deklaruar se sistemit të drejtësisë në Kosovë i duhet “goxha punë”. Megjithatë, shtoi se në krahasim me vendet e rajonit, Kosova ka bërë hapa më të mëdhenj.
“Është një temë që nuk është diskutuar, por Kosova në krahasim me vendet e rajonit ka bërë hapa të mëdhenj. Sa i përket kësaj formë të dhunës si shoqëri civile e kemi ngritë zërin shumë herë, që nga 2018-a”, ka deklaruar më tej Aliu.
Aliu ka shpjeguar se palët shpesh lodhen për shkak të procesit të gjatë në gjykata dhe i lënë pa i raportuar, teksa përmendi edhe një shembull.
“Kemi një palë që ka 18 vjet që e kërkon të drejtës e saj, është tash 67-vjeçare”, ka thënë ajo. “Është diskriminuar gruaja në qasjen në pronë edhe nga vetë institucionet”.