Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, ka mohuar akuzat e organizatës “Pishtarët” se me planin për rehabilitimin e Zallit të Rupës në Deçan, po e përgatit terrenin për t’i aprovuar dy hidrocentrale që të fillojnë operimin sa më shpejt.
Në një konferencë për media, ku ka prezantuar Raportin e Grupit Punues për Projektet Kapitale në Fushën e Ujërave, Aliu i ka quajtur shpifje deklarimet e aktivistes Shpresa Loshaj.
Ai ka thënë se eksperti Christoph Hauer, i rekomanduar nga organizata “RiverWatch” dhe i zgjedhur nga “Kelkosi” e ka përgatitur konceptin dhe se, sipas Aliut, aty gisht nuk ka as Ministria e s’ka mundur të ketë as shoqëria civile. Për këtë ka thënë se nuk mund të akuzohet për mostransparencë.
Sa i përket lejeve të hidrocentraleve të “Kelkosit”, Aliu ka thënë se njërit s’i është dhënë leja ujore dhe s’mund të veprojë, ndërsa ndaj dy të tjerëve ka masë pezulluese nga gjykata.
“Sa jemi ne, të tria hidrocentralet s’po funksionojnë”, ka thënë ai.
“Në kontakt me udhëheqësin e ‘RiverWatchit’, në tetor është dalë me propozim. Kemi pasur diskutim dhe jemi pajtuar që organizata ‘RiverWatch’ të përzgjedhë një grup ekspertësh, ama ta bëjnë ata, e të cilin ‘Kelkos’ e angazhon. Ne nuk përzgjedhim, por e përzgjedh ‘RiverWatch’. Nëse ka ndërmarrje nga një autoritet botëror në fushën e ujërave, ne e respektojmë. Profesori është rekomanduar nga organizata ‘RiverWatch’ dhe i zgjedhur nga ‘Kelkos’ me rekomandim të tyre... Bëhet fjalë për koncept të Zallit të Rupës. Është hap përpara sepse s’kemi pasur asnjë të tillë deri tash. Vjen një ekspert botëror dhe e bën një koncept se si do të mund të restaurohej. Ajo na akuzon neve për mostransparencë. Sapo e kemi marrë konceptin ne e kemi publikuar. Ne s’kemi marrë pjesë në hartim të projektit”, ka deklaruar ndër tjerash Aliu.
Pos kësaj, Aliu i ka quajtur të nxituara deklaratat e Loshajt.
Ndërkaq për Raportin e Grupit Punues për Projektet Kapitale në Fushën e Ujërave, Aliu ka thënë se shumica e lëndëve që janë trajtuar kanë shfaqur pa rregullsi, nga inicimi i projekteve, kontraktimet e shmangien e shtetit. Sipas tij, ka pasur raste kur dizajnimi i projektit për pastrim të lumit “Shtimjanja” ka kushtuar më shtrenjtë se pastrimi i lumit.
Ai ka paralajmëruar masa konkrete, ndërsa ka thënë se para se të dorëzohen në prokurori lëndët, ato janë duke kaluar në auditim të brendshëm e do të dorëzohen në Zyrën Kombëtare të Auditorit.