Arbëri

“Pishtarët” akuzojnë ministrin Aliu për “ujdi” me Kelkosin

Organizata “Pishtarët” ka akuzuar ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, se ka pranuar një plan nga kompania “Kelkos” për rehabilitimin e Zallit të Rupës në Deçan, pa pëlqimin e komunitetit dhe shoqërisë civile.

Shpresa Loshaj nga kjo organizatë ka thënë se kërkesa e tyre ka qenë që të bëhet një plan konkret me përfshirje të shumë ekspertëve dhe të vlerësohen të gjitha dëmet që janë shkaktuar në atë zonë.

“Ministri Aliu nuk është duke e marrë çështjen e Grykës së Deçanit seriozisht dhe është duke e lënë ‘Kelkosin’ të udhëheqë në këtë çështje. Pra, është duke pritur se çfarë do të ofrojë ‘Kelkosi’ dhe po i pranon të gjitha. Të shihni planin që ka ofruar ‘Kelkos’ është për të ardhur gjynah se si pranohet kjo zgjidhje që për tokën tonë nuk pranon asgjë dhe kërkon që të fillojë të operojë, megjithëse gjykata i ka suspenduar lejet dhe nuk premton asgjë”, ka thënë Shpresa Loshaj, nga organizata “Pishtarët”.

Një ditë më parë eksperti i përzgjedhur nga Ministria dhe Kelag, Christoph Hauer, ka paraqitur konceptin për restaurimin e “Zallit të Rupës”.

Ky koncept 10 faqesh, sipas ministrit Aliu, është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e gjendjes në atë pjesë dhe që të krijohet një standard funksional i hidrocentraleve.

Por, sipas Shpresa Loshajt, ministri duhet të krijojë një plan për rivitalizimin e Grykës së Deçanit, por jo planet që ofrohen nga KELKOS.

“Në atë plan duhet të jenë të gjitha kërkesat dhe të shihet qartë se cfarë ka për të bërë Kelkos, sa do të jetë fondi i rivitalizimit, kontrata e Kelkos me komunën e Decanit që nuk është përmendur askund dhe shumë e shumë gjëra të tjera, që ministrit as nuk i paska shkuar mendja që mund të jenë të rëndësishme”, ka shtuar ajo.

Edhe organizata “Riverwatch” të cilën MMPHI-ja e ka përmendur si palë neutrale, për përzgjedhjen e ekspertit, që e përgatiti konceptin për restaurimin e Zallit të Rupes, ka reaguar përmes një komunikate për media, duke thënë se nuk ka qenë pjesë e proces të rihapjes së hidrocentraleve.

“Kelag/Kelkos është duke provuar që të shesë një koncept zhvillimi vetëm për Zallin e Rupës, si një “hap madhor” dhe të shkaktojë presion te ministritë në Kosovë drejt rihapjes së hidrocentraleve të tyre”, thuhet në reagim.

KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje nga ana e Ministrisë për pretendimet e organizatës “Pishtarët”, por ata nuk janë përgjigjur gjatë ditës së martë.