Arbëri

Aliçkaj pret “më shumë energji” nga Trumpi për Kosovën

Agim Aliçkaj

Agim Aliçkaj, anëtar i Bordit të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ka thënë se pret që administrata e ardhshme amerikane, e udhëhequr nga Donald Trumpi, të jetë “më energjike” në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se në administratat Obama dhe Biden ka pasur zhgënjim “për shkak se ia ka lënë Evropës problemin”.

“E kanë pasur një politikë që udhëheqë nga prapa dhe kjo politikë s’ka pasur e s’do të ketë sukses. Prandaj karakteri i Trumpit është më ndryshe. Ai është më udhëheqës dhe merr vendime më të prera”, ka thënë Aliçkaj. “Do të ketë qëndrim më energjik do të merret më shumë me këtë çështje”.

Aliçkaj ka thënë se kjo varet edhe nga qasja e Kosovës se si di ta shtrojë problemin para administratës së re dhe se sa unike do të jetë brenda.

Sipas Aliçkajt, nëse Richard Grenell caktohet si ndërmjetës nga SHBA-ja në dialogun Kosovë-Serbi, duhet që shqiptarët në Amerikë të nisin presionin që ai të “jetë më në mes” sepse tash “është i njëanshëm”.

Aliçkaj e ka vlerësuar po ashtu lajm shumë të mirë deklaratën e zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma të premten që njohja reciproke duhet të jetë produkt i normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi. Ai e ka vlerësuar si shumë pozitiv edhe çështjen e dialogut strategjik me SHBA-në, për të cilin njoftoi të premten presidentja Vjosa Osmani.

Sanksionet e SHBA-së ndaj industrisë serbe të naftës, Aliçkaj i ka quajtur të vonuara. Ai ka thënë se është pritur shumë për veprime ndaj destruktivitetit serb.

Donald Trump do të inaugurohet si president më 20 janar.