Arbëri

Albulena Haxhiu dëshmon për bashkëpartiakun në rastin “Syri i Popullit”

Në gjykimin e rastit “Syri i Popullit” ka dhënë dëshminë e saj Albulena Haxhiu, bashkëpartiake e të akuzuarit në këtë rast, Sadri Ramabaja.

Deputetja Haxhiu para trupit gjykues tha se e njeh vetëm të akuzuarin Ramabaja, kurse për personat tjerë ka dëgjuar vetëm pas plagosjes së Azem Vllasit, raporton kallxo.com. E pyetur nga prokurori special Sylë Hoxha se a ka dëgjuar ndonjëherë për organizatën “Syri i Popullit”, deputetja Haxhiu tha se kishte dëgjuar vetëm në media pasi kishte ndodhur rasti i plagosjes së Vllasit.

Prokurori Sylë Hoxha deklaroi se Albulena Haxhiu është e ftuar në cilësi të dëshmitares, pasi që asaj kjo organizatë i ka ndarë disa detyra por që kjo është mohuar nga Haxhiu.

“Asnjëherë në jetë time nuk kam qenë e kontaktuar nga një organizatë e tillë. Unë jam person publik dhe nuk mund ta di se kush si e përdor emrin tim. Unë kam dhënë deklaratë në polici dhe kam besuar se çdo fjalë do të përfundoj aty. Edhe për t`u caktuar dëshmitar duhet të plotësohen disa kritere. Është absurde, e papranueshme. Por më lejoni të them një gjë, unë deklarova qysh në fillim se e njoh të akuzuarin Sadri Ramabaja për aktivitetin e tij si në VV, si më herët dhe nuk besoj se një person i tillë intelektual do të mund të përfshihej në vepra të tilla”, deklaroi Haxhiu.