Arbëri

Greva në ditën e dytë, alarmohet për pasoja afatgjate te fëmijët

Një klasë në një shkollë në Kosovë

SBASHK-u dhe Qeveria, krahas përplasjeve në distancë për grevën në sektorin publik, janë duke e zhvilluar edhe një betejë ligjore. Thirrjeve për gjetjen e një zgjidhjeje të premten u është bashkuar edhe Avokati i Popullit. E, ndërsa ka dështuar fillimi i vitit të ri shkollor, në studimet e organizatave ndërkombëtare dhe qëndrimet e psikologëve thuhet se grevat lënë pasoja afatgjate te fëmijët

E drejta për shkollim fëmijëve u garantohet me aktin më të lartë juridik të shtetit. Kjo e drejtë atyre po u cenohet nga mungesa e dialogut mes Qeverisë dhe SBASHK-ut, për gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i jepte fund grevës së mësimdhënësve, e nxënësit do t’i kthente në bankat shkollore. Pasojat e ndërprerjes së mësimit, sipas raporteve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, mund të jenë afatgjate. Sipas një hulumtimi të bërë më 2020, kur mësimi ishte ndërprerë nga pandemia COVID-19, OECD thotë se fëmijët që u janë nënshtruar këtyre ndërprerjeve të mësimit, në moshën e studimeve, ka shumë rrezik që të ngecin prapa, të jenë të papunë ose edhe të punësohen në profesione ku nuk kërkohen shkathtësi të avancuara.

Për këto pasoja ka alarmuar edhe psikologia Florentina Dushi, e cila thotë se përveç humbjeve akademike, greva e mësimdhënësve do të ketë edhe ndikim psikologjik negativ tek ta.

“Ndikimi është negativ, nxënësit ndihen të dëshpëruar, sepse kanë pasur pritjen që do të fillojnë më 1 shtator. Së dyti, ndihen që ata po e pësojnë për diçka që nuk janë aspak fajtorë dhe kjo i bën të ndihen të anashkaluar. Dhe, kur fëmijët e përjetojnë një ndjenjë se janë të anashkaluar, ka shumë pasoja negative, sepse fillojnë të konsiderojnë se ata nuk janë të rëndësishëm dhe në anën tjetër fillojnë ta konsiderojnë që a duhet të merret apo jo seriozisht fillimi i shkollës”, ka thënë ajo.

Për t’i mbrojtur ata nga dëmi që nuk e kanë shkaktuar vetë, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, u ka bërë thirrje Qeverisë e sindikalistëve të arsimit që sa më parë ta gjejnë një gjuhë të përbashkët, për të mos ua cenuar të drejtat dhe interesin fëmijëve.

“E drejta për arsim është e drejtë kushtetuese që në asnjë rrethanë nuk guxon të cenohet dhe të mohohet, duke vënë theksin në interesin më të mirë të fëmijëve dhe të drejtën për shkollim dhe edukim si një e drejtë e garantuar. Prandaj, u bëhet thirrje Qeverisë dhe sindikalistëve që t’i vazhdojnë bisedimet për të gjetur sa më shpejt zgjidhje, në mënyrë që fëmijët ta gëzojnë këtë të drejtë dhe të inkuadrohen në procesin edukativo-arsimor”, ka thënë Avokati i Popullit për KOHËN.

Por, komunikimi i vetëm që SBASHK-u dhe Qeveria kanë pasur së fundmi është nëpërmjet kërcënimeve e akuzave në distancë. Ministria e Financave, duke u mbështetur në nenin 18 të Ligjit për Greva, është përcaktuar që t’ua ndalë punonjësve publikë mëditjet për ditët sa janë në grevë.

Në paragrafin e parë të këtij neni thuhet se gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës duke u plotësuar më pas me fjalinë që thekson se pezullimi përfshin edhe “të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”.

Por, këtë përcaktim të Qeverisë e ka kundërshtuar SBASHK-u, e cila sindikatë i referohet neni 13 të të njëjtit ligj, e i cili thotë se për organizuesit dhe pjesëmarrësit në grevë nuk mund të merren masa materiale.

“Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’ju ndërpritet marrëdhënia e punës”, thuhet në ligj.

Një ditë më parë sindikalistët e arsimit ia kanë dorëzuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë një kallëzim penal kundër ministrit të Financave, Hekuran Murati, të cilin e kanë paditur për kërcënim, shantazh e presion tek anëtarët e Sindikatës. Kallëzimi penal i SBASHK-ut është mbështetur në nenin 221 të Kodit Penal të Kosovës, për cenim të së drejtës për grevë, i cili parasheh edhe dënimin me burgim.

“Kushdo që me përdorim të forcës apo kanosjes serioze ose në ndonjë mënyrë tjetër të kundërligjshme parandalon ose pengon punëtorin nga organizimi, pjesëmarrja apo ushtrimi në ndonjë mënyrë tjetër i çfarëdo të drejte ligjore për grevë në pajtim me ligjin dhe për të marrë pjesë në grevë, apo në ndonjë mënyrë tjetër për të ushtruar të drejtën në grevë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy (2) vjet”, thuhet në Kodin Penal.

Prej ditësh sektori publik ka hyrë në grevë me kërkesën që derisa të miratohet e hyjë në fuqi Ligji i pagave të aplikohet për ta një shtesë mujore prej 100 eurosh. Deri tash nuk ka pasur komunikim me Qeverinë, e cila në mungesë të listave të grevistëve për një numër punonjësish nuk i ka ekzekutuar pagat e muajit të shkuar.