Një ditë pasi Serbisë iu transferuan 51.7 milionë euro parafinancim nga Plani i Rritjes i BE-së, përfaqësues të partive që mandatin e shkuar ishin në opozitë e mbajtën përgjegjëse Qeverinë në detyrë, që Kosova nuk përfitoi ende nga kjo paketë. Ata e akuzuan Vetëvendosjen se me ngërçin në konstituim të Kuvendit e privoi shtetin nga mbështetja financiare ndërkombëtare. E në partinë fituese të zgjedhjeve fajin për mungesën e institucionit që do të duhej ta ratifikonte marrëveshjen me BE-në, ia bartën taborit tjetër politik
Përfaqësues të partive që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë e kanë bërë përgjegjëse Qeverinë e drejtuar nga Vetëvendosja, që Kosova ende nuk e ka pranuar asnjë pjesë nga mjetet e Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Mungesa e konstituimit të institucioneve e ka pamundësuar ratifikimin në Kuvend të marrëveshjes me BE-në, e me të cilën Kosova do të mund të përfitojë rreth 900 milionë euro.
Në taborin e këtyre partive kanë thënë për këtë përgjegjësia e LVV-së ndahet në dy rrafshe – në atë për moskonstituimin e Kuvendit, ku do të ratifikohej marrëveshja, dhe për izolimin e shtetit në skenën ndërkombëtare e që, sipas tyre, e ka privuar Kosovën nga mbështetja financiare.
“Kriza politike, kriza energjetike dhe kriza ekonomike në të cilën gjendet Republika e Kosovës është kryekëput si rezultat i veprimeve ose mosveprimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, qoftë në Qeveri, qoftë në Kuvend”, ka thënë Besian Mustafa, deputet i LDK-së. “Qeveria e kaluar, e udhëhequr nga LVV-ja, e ka izoluar në rrafshin ndërkombëtar Kosovën, i ka shkëputur të gjitha marrëdhëniet e shkëlqyeshme që kemi ndërtuar ne ndër vite me partnerët ndërkombëtarë”.
Në këtë linjë ka folur edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
“Kemi vite që Kosova nuk po përfiton as nga plani i zgjerimit, por as nga fondet e Bashkimit Evropian për shkak se ne jemi vend i sanksionuar nga Bashkimi Evropian, për shkak të qasjes së kësaj qeverie dhe ne, në vazhdimësi, kemi humbur miliona për shkak të moskoordinimit dhe mosbashkëpunimit me aleatët tanë”, ka thënë ajo.
Të premten, BE-ja njoftoi se e ka kryer pagesën e parafinancimit prej 51.7 milionë eurosh për Serbinë. Ndarja e këtyre mjeteve, sipas BE-së, nënkupton se Serbia e ka përmbushur edhe parakushtin specifik për sjellje konstruktive në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën.
Të pyetur lidhur me çështjen, në Vetëvendosje thanë se me gjithë që moskonstituimi i Kuvendit i ka stagnuar shumë procese, Qeveria është duke e kryer punën e saj.
E, deputeti i kësaj partie, Dimal Basha, përgjegjësinë për mosformimin e legjislaturës së re ia barti taborit të kundërt politik.
“Sigurisht se konstituimi i Kuvendit po vonon shumë punë të tjera, por kjo nuk e ndal Qeverinë në punën që është duke e bërë, për shkak se ne kemi Qeveri, kemi polici, kemi ushtri, të gjitha institucionet e tjera janë funksionale, përveç Kuvendit të Republikës që ka mbetur në ngërç për shkak të mosvotimit të opozitës”, ka thënë ai.
Për të përfituar nga Plani i Rritjes i BE-së, parakusht i veçantë për Kosovën dhe për Serbinë ka qenë angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve.
Deri tash, parafinancim nga BE-ja në vlerë prej miliona eurosh, krahas Serbisë, morën edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Kjo paketë financiare e BE-së e kap vlerën e 6 miliardë eurove dhe e mbulon periudhën prej vitit 2024 deri më 2027.