Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se ka nisur monitorimin e tregut pas paralajmërimit për shtrenjtim të më shumë se 20 produkteve bazë. Në një shkrim në Facebook, AKK-ja ka thënë se nuk ka mandat për të caktuar çmimet, por mund të ndërhyjë kur çmimet përcaktohen në mënyrë të bashkërenduar ose artificiale nga ndërmarrje konkurrente.
Ky autoritet ka thënë se po i analizon mbi 20 produkte si dhe se ka nisur edhe monitorimin e tregut të bukës e edhe atë të kafesë.
“Inspektorët e Autoritetit janë duke zhvilluar vizita në terren në qytete të ndryshme të Kosovës, duke mbledhur të dhëna dhe informata direkte nga operatorët e tregut. Pas përfundimit të fazës së analizës dhe grumbullimit të informatave, nëse identifikohen shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore, në përputhje me kompetencat e tij”, thuhet në njoftim.
Ky autoritet mund të ndërmarrë edhe masa të përkohshme, që ndalon një veprim të caktuar ose zbatimin e masave, kushteve apo afateve për të eliminuar efektet e dëmshme në konkurrencën në treg. Këto masa mund të zgjasin deri në gjashtë muaj.
Ditë më parë, në disa furra u shtrenjtua çmimi i bukës e shtrenjtim pati edhe për kafenë në disa kafene. U paralajmërua se shtrenjtimi do të ndodhë përsëri, nga muaji maj pasi shtrenjtimi i rrymës të hyjë në fuqi.