KOHA ka siguruar draftligjin për çmime tavan, i cili parasheh themelimin e Autoritetit të Pavarur për Stabilitetin e Çmimeve. Dokumenti liston 16 produkte themelore dhe parasheh gjobë deri në 20 mijë euro për shkelësit
Drafti i ligjit për çmime tavan, të cilin e ka siguruar KOHA, parasheh themelimin e Autoritetit të Pavarur për Stabilitetin e Çmimeve, që do të ndërhyjë në situata kur ka destabilizim të tregut.
Ky është ndryshimi kryesor që i është bërë ligjit, pasi Gjykata Kushtetuese pati konstatuar se ekzekutivi nuk mund të ndërhyjë në çmime.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Autoriteti i Pavarur për Stabilitetin e Çmimeve është organ i pavarur rregullator, i themeluar me këtë ligj për monitorimin e tregut dhe për inicimin dhe vendosjen e masave të përkohshme, rregullatorë për stabilizimin e çmimeve në rrethana të veçanta të destabilizimit të tregut, në bazë të analizës së tregut dhe parimit të proporcionalitetit, me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe të konsumatorëve”, thuhet në draftligjin për çmimin tavan.
Ligji i kaluar parashihte themelimin e një komisioni, por i cili u raporton Ministrisë së Tregtisë dhe Zyrës së Kryeministrit.
Për dallim nga ai, Autoriteti do të themelohet me ligj nga Kuvendi dhe do të udhëhiqet nga Bordi në përbërje prej 5 anëtarësh.
Drafti liston 16 produkte themelore dhe se nuk mund të zgjerojë listë përtej tyre.
Drithërat, mielli, buka, orizi, makaronat, vaji ushqimor, qumështi dhe produktet e qumështit, uji, pemët dhe perimet, kripa e kuzhinës, vezë pule, mishi, sheqeri, ushqimet bazë për fëmijë, produktet e higjienës personale dhe lëndët djegëse janë produktet për të cilat Autoriteti mund të marrë masa.
Drafti parasheh 7 masa mbrojtëse për furnizimin me produkte themelore.
Aty parashihet caktimi i marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë, caktimi i çmimit maksimal, kufizimi i sasisë që i shitet konsumatorit brenda periudhës së caktuar, detyrimi i operatorëve ekonomikë për të ruajtur pjesën e caktuar të stokut të produktit e të tjera.
Për mosrespektimin e vendimeve të Autoritetit parashihen edhe gjoba.
“Në rast të moszbatimit të vendimeve të autoritetit, subjekti dënohet me gjobë si në vijim: Prej pesë mijë (5,000) deri në njëzet mijë (20,000) euro si person juridik; Prej një mijë (1,000) deri në pesë mijë (5,000) euro si person fizik që ushtron biznes individual. Prej pesëqind (500) deri në dy mijë (2,000) euro si person përgjegjës i personit juridik”, janë disa nga të dhënat e draftligjit për çmimin tavan.
Procedimi i Ligjit të ri për çmime tavan është në mesin e 5 vendimeve të para që pati premtuar kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore.