Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Aktivisti i VV-së ndalohet në kufirin me Shqipërinë

Lëvizja Vetëvendosje njofton se aktivisti i saj, Egzon Balaj është ndaluar sot derisa po kalonte kufirin me Shqipërinë.

VV-ja përmes një komunikate ka njoftuar se aktivisti është arrestuar dhe se menjëherë është dërguar në paraburgim.

“Ai është dërguar menjëherë në paraburgim kurse i është thënë se arrestimi i tij është për shkak të pjesëmarrjes në një aksion të vitit 2015. Pushteti është duke vazhduar përndjekjen e aktivistëve derisa është krejt i pazotë përballë keqbërësve më të mëdhenj të vendit”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Vetëvendosje ka thënë se sistemi gjyqësor e ka humbur orientimin duke përndjekur aktivistët e saj dhe se po u shmanget rasteve të krimit e korrupsionit.

“Aktivistët e Vetëvendosjes dhe aksionet e organizatës gjithmonë janë në mbrojtje të së mirës publike. Asnjë gjyqi as policie nuk do të duhej t’i pengonte kjo. Sistemi gjyqësor e ka humbur orientimin duke e përndjekur Vetëvendosjen ose duke mbushur burgjet me njerëzit më të përjashtuar dhe të varfër e ndërkohë duke i mbyllur sytë krejtësisht para krimit e korrupsionit”, thuhet në njoftimin e VV-së.