Aleanca Kosova e Re pritet që të hyjë në koalicion ose të garojë në një listë të përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Sekretari i AKR-së, Vesel Makolli, i ka thënë KOHËS se janë të interesuar për koalicion, porse janë duke pritur nga LDK-ja për konfirmim.
“Është e sigurt që AKR ose do të jetë pjesë e listës së përbashkët me LDK-në ose në koalicion. Ne jemi të interesuar për koalicion por ende nuk është vendosur asgjë. Pritet sot të zyrtarizohet forma sesi do të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë ai.
KOHA është duke pritur përgjigje nga LDK-ja për të kuptuar nëse me AKR-në do të shkojnë në zgjedhje në listë të përbashkët apo në koalicion.
Deri sot në orën 18:00 është afati i fundit kur partitë politike mund t’i zyrtarizojnë koalicionet parazgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë.
Deri tash asnjëra nga partitë nuk ka zyrtarizuar koalicion, ndonëse ka pasur deklarata nga partitë për koalicione të mundshme.