Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Subjektet e vogla kërkojnë strehë te partitë e mëdha

Limaj-Abrashi

Dy prej partive të vogla në Kosovë, por që dikur ishin edhe në Qeveri, kanë ofruar gatishmërinë për t’u shkrirë në lista të partive më të mëdha. Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re kanë vendosur të mos garojnë si të vetme, por janë ofruar për t’u përfshirë në Listën e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, i është drejtuar me një shkresë kryetarit të Partisë Demokratike, Bedri Hamza, në të cilën ka shprehur gatishmërinë për pjesëmarrje në listën zgjedhore të PDK-së.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Nisma Socialdemokrate dhe unë, si kryetar i saj, kemi shprehur vazhdimisht, si para këtyre zgjedhjeve ashtu edhe në vazhdimësi, gatishmërinë për bashkëpunim dhe bashkim politik në funksion të krijimit të një alternative të fuqishme dhe përfaqësuese për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Limajt.

Hamza deri tash nuk ka dalë me reagim. Ai nuk është përgjigjur as në përpjekjet e KOHËS për kontakt të premten.

Ndërkaq AKR-ja që është bërë me kryetar të ri, tashmë ka nisur bisedimet për t’u përfshirë në listën e PDK-së.

“AKR-ja si subjekt vet nuk garon në zgjedhje. Jemi ne bisedime me subjektet e tjera. Ka pasur takim mes kryetarit AKR-së, zotëri Emir Abrashit, dhe zotëri Bedri Hamzës. Ditëve në vijim ka edhe takime të tjera”, ka thënë për KOHËN, anëtarja e kryesisë së AKR-së, Myzejene Selmani.

Pjesëmarrjen në zgjedhje e kanë deklaruar 22 parti politike dhe tri koalicione. Ndërsa nga gara si të vetme ose në koalicion kanë hequr dorë 9 sosh.

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 7 qershor 2026, pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti ta zgjedhë presidentin e ri brenda afateve kushtetuese.