Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AKP-ja udhëzohet të mos vendosë në shitje asete potenciale për t’u transferuar në Fond sovran

Qeveria e Kosovës ka bërë plotësim-ndryshimin e Qeverisë së Kosovës të datës 1 korrik të vitit 2020 në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është e nevojshme të parandalohet tjetërsimi i aseteve jetike. Ndërsa me vendimin e ri është udhëzuar AKP-ja të mos vendosë në shitje asete që janë të identifikuara si potenciale për t’u transferuar në Fond Sovran që po pritet të themelohet.

“Funksionalizimi i AKP-së ndërmjet tjera ka mundësuar hartimin e planit strategjik që definon qartë prioritetet e AKP-së deri në vitin 2024, përfshirë planifikimin e politikave të mëtutjeshme në harmoni me politikat e Qeverisë lidhur me Fondin Sovran. Tanimë koncept-dokumenti për Fondin Sovran është gati e pritet të shqyrtohet shpejt në Këshillin Ekzekutiv për themelim. Moratoriumi i deritashëm në kuptimin e shfrytëzimit të aseteve ka qenë i domosdoshëm. Mirëpo, ndërrimi i menaxhmentit e hapat që ka marrë në kuptimin e vizionit të qartë të AKP-së për disa vite të ardhshme, deri në përmbyllje të këtij institucioni, dëshmon gatishmërinë e AKP-së që të veprojë në pajtim me të drejtat e obligimet ligjore që u takojnë”, ka thënë Kurti. “Duhet shtuar mundësinë e qiradhënieve të rregullta në kuptim të ruajtjes së vlerës së tyre. Marrë parasysh nismës së Qeverisë për themelimin e Fondit Sovran, është e domosdoshme të parandalohet tjetërsimi i aseteve jetike për utilizimin e tyre me qëllinm të interesit shtetëror nëpërmjet Fondit Sovran. Udhëzohet AKP-ja të mos vendosë në shitje asete që janë identifikuara si potenciale për t’u transferuar në Fond Sovran, para miratimit të politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit”.

Me vendimin e Qeverisë Hoti të korrikut të vitit 2020, u themelua grupi punues ndërinstitucional me AKP-në për draftimin e Strategjisë për Privatizimin e Ndërmarrjeve Shoqërore në harmoni me Programin e Qeverisë së Kosovës me qëllim të përmbylljes së suksesshme të procesit të privatizimit të pronave shoqërore.

I është kërkuar AKP-së të mos bëjë shpallje të asnjë vale të re të privatizimit deri në miratim të Strategjisë.