Agjencia Kosovare e Privatizimit ka identifikuar 1.654 asete nga 2.365 që i ka në administrim, të cilat i ka konsideruar me interes të veçantë dhe që nuk duhet privatizuar. Ato ka propozuar t’i kalohen në menaxhim Fondit Sovran, të cilin Qeveria synon ta themelojë. Përfaqësues të Agjencisë e bën të ditur këtë informatë gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Ekonomi, ku shprehën brengën për shumë konteste gjyqësore që janë duke e mbajtur peng procesin e likuidimit të një numri të madh ndërmarrjesh.
Më shumë se gjysma e aseteve që i ka në administrim Agjencia e Kosovës për Privatizim pritet t’i shmangen procesit të privatizimit dhe t’i kalohen Fondit Sovran.
Gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Ekonomi, përfaqësues të Agjencisë bënë të ditur se lista e aseteve të kategorizuara me potencial zhvillimor është përpiluar dhe i është dërguar grupit punues për Fondin Sovran.
“Nga lista prej 2.365 aseteve, të cilat janë nën administrimin e agjencisë, janë identifikuar 1.654 asete potenciale për bartje në Fondin Sovran”, ka thënë zëvendëskryesuesja e Bordit të AKP-së, Syzana Dautaj-Surdulli.
Para deputetëve, përfaqësues të AKP-së folën edhe për shumë konteste gjyqësore brenda e jashtë Kosovës, e të cilat janë duke e mbajtur peng procesin e likuidimit të një numri të madh ndërmarrjesh.
“Si bord i ri ne kemi pasur disa takime me Dhomën e Posaçme, ashtu që kemi kërkuar që të intensifikohet puna e tyre. Kemi shikuar mundësitë që të shtohet ndoshta edhe numri i gjyqtarëve apo edhe numri i bashkëpunëtorëve profesionalë të gjyqtarëve, ashtu që lëndët të cilat janë në Dhomën e Posaçme e që momentalisht janë diku 1.600 lëndë, të cilat ndërlidhen shumë me përmbylljen e likuidimit të procedohen sa më shpejt nga Dhoma e Posaçme”, ka shtuar ajo.
“Në konteste gjyqësore marrim rregullisht pjesë në Mal të Zi dhe në Serbi, kemi rast të Exim-Kosit në Gjykatën Ekonomike në Beograd. Por në Kroaci, në Maqedoni, në Slloveni jo”, është shprehur Avni Jashari, zëvendësdrejtor menaxhues i AKP-së.
Deputetë të opozitës janë ankuar për mospjesëmarrjen e udhëheqësve të institucionit, por zëvendësuesve të tyre, dhe kanë ngritur shqetësime për shumën që pretendojnë për ta marrë kreditorët përmes padive në Gjykatë Supreme.
“Ne kemi ftuar bordin si tërësi, si komplet dhe kryetarin e bordit ju e përfaqësoni. Mendoj që nuk është praktikë e mirë. Ne s’i kemi lënë zëvendësministrat të raportojmë, vetëm ministrat”, ka thënë deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.
Vetëvendosja që udhëheq me Qeverinë ka premtuar ta shuajë AKP-në, dhe ta themelojë Fondin Sovran, nën ombrellën e të cilit synon t’i përfshijë asetet strategjike me qëllim të rritjes së vlerës së tyre nëpërmjet investimit në to.