Arbëri

AKP-ja ia kthen në pronësi Ferizajt 323 hektarë

Qeveria e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) kanë nisur procedurat për kthimin e 323 hektarëve në pronësi të Komunës së Ferizajt, që gjenden te kompleksi i sallës së sporteve në qytetin e Ferizajt, pastaj një pjesë te parcela e varrezave të reja dhe pjesa tjetër nëpër fshatra të kësaj komune.

Qeveria e Kosovës nëpërmjet një vendimi ka aprovuar edhe propozimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal pas kërkesës së Komunës së Ferizajt për kthimin e pronës së ish-ndërmarrjes shoqërore në pronësi të Komunës me qëllim të realizimit të interesit publik në Komunën e Ferizajt, shkruan sot Koha Ditore.

Sabri Murseli, drejtor për Pronë dhe Gjeodezi në Komunën e Ferizajt, ka thënë se tashmë kanë nisur procedurat dhe brenda një të ardhmeje të afërt Ferizajt po i kthehen gjithsej 323 hektarë nga AKP-ja.

Ndërkaq në vendimin e Qeverisë së Kosovës, midis të tjerash, thuhet se kompensimet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit në shumën prej 20 për qind të vlerës së pronës sipas vlerësimit për të kompensuar punëtorët e kualifikuar të ndërmarrjes shoqërore, si dhe kërkesat e kreditorëve nga procesi i likuidimit deri në shumën e përgjithshme të vlerësimit do të bëhet sipas legjislacionit përkatës në fuqi. (Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)