Mospërfshirja në Komitetin kundër COVID-19 nga Qeveria, ka bërë që Bordi i Asociacionit të Komunave të marrë vendim për bojkotimin e takimit emergjent për pandeminë të thirrur nga kryeministri Albin Kurti.
Megjithatë, AKK-ja ka arritur që të rikthehet në këtë komitet. Drejtori ekzekutiv i Asociacionit, Sazan Ibrahimi, ka konfirmuar se do të jetë pjesë e tij.
“Pas reagimit të AKK-së, Ministri Arben Vitia thotë që AKK do të rikthehet në komitetin anti-COVID-19. Në takimin e radhës së Qeverisë lista do të përditësohet dhe AKK do të jetë pjesë e këtij mekanizmi”, ka thënë Ibrahimi, raporton KOHA.
Komiteti i ri i krijuar të hënën nga Qeveria, ka 27 anëtarë aktualisht, shumica e të cilëve përfaqësues të ministrive, por që për dallim nga dy komitetet e kaluara, këtë herë përfaqësuesi i Asociacionit u la jashtë.
Kjo bëri që Bordi i tij të merrte vendim për bojkot të takimit të thirrur nga Kurti.