Drejtori i Departamentit të Pyjeve në Ministrinë e Bujqësisë, Tahir Ahmeti, ka thënë se e hëna ka qenë një ditë e veçantë për pylltarinë dhe janë mbajtur një numër i aktiviteteve për ndërgjegjësimin e qytetarëve për rolin dhe rëndësinë e pylltarisë. Ai ka thënë se në Kosovë nuk ka njeri që është i kënaqur me gjendjen e pyjeve e se pyjet s’kanë qenë prioritet i asnjë qeverie deri tash.
Sipas tij, pyjet në vend kanë pësuar degradim në 30 vjetet e fundit.
“Pylltaria dhe pyjet duan trajtim ashtu siç i kanë vlerat e tyre. Sfidë kryesore mbetet prerja e pyjeve. Ato po prehen ilegalisht në stinë të ndryshme. Shkatërrimet vijnë edhe nga fatkeqësitë natyrore, siç janë zjarret, rrëshqitjet nga bora, rrëzimi i tyre. Statistikat kanë treguar se në 95 për qind të rasteve, zjarret shkaktohen nga faktori njeri. Zjarret tjera që mund të vijnë nga vetëtima apo shkaqet tjera natyrore janë më të pakta”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Ahmeti ka thënë se ka sipërfaqe pyjore si parqet, zonat e mbrojtura malet dhe private që nuk priten me intensitet të lartë. Ai ka shtuar se tkurrja e sipërfaqeve pyjore bëhet kur shfrytëzohet ajo hapësirë për arsyeje të tjera.
Sipas tij, rigjenerimi bëhet në mënyrë natyrore. Ai ka shtuar se rreth 1 milion fidanë mbillen në vit.
“Pylltaria dhe rimëkëmbja e saj bazohet në atë se sa arrihet të implementohet teknika e mbrojtjes së pyjeve. Gabimet në pylltari nuk rikuperohen për një kohë të shkurtër, por nevojiten dekada”, ka thënë ai.
Edhe
Nga natyra tek burimet e jetesës: Pse pyjet e Kosovës kanë rëndësi për të gjithë
Ahmeti ka shtuar se nuk janë të kënaqur me menaxhimin që bën niveli komunal lidhur me gjendjen e pyjeve. Ai ka thënë se degradimi i pyjeve shkakton dëme të ndryshme, siç janë edhe dëmet ekonomike, dëmet ekologjike, dëmet në ujë.
Ai ka shtuar se pyjet nuk kanë qenë prioritet i asnjë qeverie dhe se buxheti i ndarë për pylltarinë nuk i plotëson as nevojat minimale.