Arbëri

Ahmeti: Njeriu është faktori kryesor për shkaktimin e zjarreve, vepra dënohet me burgim

Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve emergjente, deklaroi se faktori kryesor i shkaktimit së zjarreve masive është njeriu, pasi sipas tij, me qëllim apo nga pakujdesia, qytetarët nxisin djegien e fushave dhe të pyjeve.

Ahmeti deklaroi në “60 Minuta” të KTV-së të mërkurën se shkaktimi i qëllimshëm apo nga pakujdesia i zjarrit sanksionohet me burgim në Kosovë, andaj siç tha ai, institucionet duhet të bëjnë kampanja vetëdijësuese për qytetarët, që të kuptojnë se s’duhet shkaktuar dëme.

“Duhet të jemi të përgatitur që kur të ndodhin zjarret, shteti të jetë i përgatitur që të intervenojë. Zjarret më së shumti te ne ndodhin në fusha bujqësore që bujqit i djegin që t’i pastrojnë mbeturinat në fusha dhe pastaj këto përhapen dhe shkojnë në pyje. Shkaktari kryesor i zjarreve është faktori njeri. Shkaktimi i qëllimshëm apo nga pakujdesia sanksionet edhe me burg, andaj institucionet të jenë vigjilente dhe të bëjnë fushata vetëdijesuese që qytetarët të dinë që të mos shkaktojnë dëme. Nëse kemi zjarre afër vendbanimeve, rreziku është më i madh”, tha ai.

Sipas njohësit të çështjeve emergjente, djegia e hamulloreve apo e tokave bujqësore rrezikon që zjarret të përhapen në rajone me pyje e në vendbanime, ndërsa theksoi se faktor për përhapjen e zjarreve është edhe era.

“Një prej faktorëve që ndikon në përhapjen e zjarreve është edhe era. Ajo e përhap zjarrin në mënyrë edhe më të shpejtë. Pos dëmeve, edhe ambienti dëmtohet në masë të madhe. Duke ditur se këto pyje kërkojnë një kohë që të rriten dhe kemi pasur humbje shumë të mëdha të pyjeve, por këto s’mund të parandalohen të gjitha. Institucionet duhet të jenë të përgatitura”, shtoi Ahmeti.

Ai u shpreh se Kosova s’ka pasur deri më tani zjarre masive që s’kanë mundur të lokalizohen. Në aspektin e fatkeqësive natyrore, sipas Ahmetit, Kosova rrezikohet nga zjarret pyjore, tërmetet, vërshimet dhe nga ortekët e borës.