Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) në një konferencë të jashtëzakonshme për medie, ka kërkuar nga Qeveria që ta tërheqë Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), i cili është miratuar në Qeveri në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.
Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, ka theksuar se ndryshimet të cilat janë propozuar i shohin si tendencë për t'i sulmuar dhe kontrolluar mediat
Sipas tij me Projektligjin për KPM-në vendoset kontroll mbi mediat online. Ai e ka ftuar Qeverinë që ta tërëheq Projektligjin dhe të zhvillojë me akterët e fushës një dialog të sinqertë.
Drejtori ekzekutiv i KMSKK-së, Imer Mushkolaj, ka thënë se qëllimi këtij Projektligji është dobësimi i Këshillit të Mediave të Shkruara. Kurse sipas tij, në vendet e Evropës gjithandej qëllimi është forcimi i këshillave vetërregullues.
“Media online duhet të vetërregullohet dhe jo të kontrollohet nga një institucion siç është Komisioni i Pavarur i Mediave”, është shprehur Mushkolaj.
Ndërsa juristja e së Drejtës së medias, Flutura Kusari, ka thënë se me Projektligjin e aprovuar katër ditë para vitit të ri, për herë të parë në ndryshon radikalisht rregullimi i mediave online.
“Secila media online do të duhej të regjistrohej në KPM nëse kalon projektligji. Aparati shtetëror do të përdoret si sulm për mediat online me gjoba që mund të shkojnë deri në 40.000 euro. Qeveria po arsyetohet që është në përputhje me direktivë AVMS por po e keqinterpreton”, ka theksuar Kusari.
Ajo ka thënë se kërkojnë që KPM-së, e cila sipas saj është historikisht e ndikuar politikisht, të mos i zgjerohen kompetencat.