Ka nisur punimet në Daka, kryeqytetin e Bangladeshit, Konferenca e 45-të e ministrave të jashtëm të vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, organizata e dytë më e madhe ndër-qeveritare pas OKB-së, që grupon 57 shtete anëtare.
Në Konferencë merr pjesë si e ftuar speciale edhe Kosova, me një delegacion kryesuar nga numri dy i qeverisë dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli. 57 shtetet anëtare përfaqësohen nga dhjetëra Ministra të Jashtëm, Zëvendëskryeministra dhe Diplomatë të nivelit të lartë së bashku me një numër të madh përfaqësuesish nga shtete vëzhgues.
Siç njofton komunikata, tre janë objektivat e pjesëmarrjes e shefit të diplomacisë kosovare dhe delegacionit, që ai kryeson e që e nisi aktivitetin e vet në margjina të konferencës me takime të shumta dypalëshe ishin lobimi për njohjen e mëtejshme të Kosovës, anëtarësimi në Interpol dhe aplikimi për statusin e vendit vëzhgues në OBI e që synojnë të avancojnë integrimin ndërkombëtar të Kosovës.
“Për këto objektiva, Pacolli u takua me homologët e tij nga Bangladeshi, Arabia Saudite, Azerbaixhani, Kazakistani, Guajana, Ishujt Komore, Palestina, Surinami, Maldivet, Mozambiku”, thuhet në komunikatë.
Konferenca e sivjetme shënon kalimin e drejtimit të radhës së kësaj organizate nga Bregu i Fildishtë tek Bangladeshi. Tema kryesore e saj është “vlerat islamike për paqe të qëndrueshme, solidariteti dhe zhvillimi”, me fokus të veçantë tek drama e refugjatëve Rohinga, që janë spastruar etnikisht prej territorit të Myanmarit, duke u shpërndarë në vende fqinjë.
Edhe
Kërkesat e Pacollit ndaj ministrave të jashtëm që po marrin pjesë në Daka
Punimet e seancës së parë u përshëndetën nga Kryeministrja e Republikës Popullore të Bangladeshit, Sheikh Hasina. Për të treguar rëndësinë, që i jep marrëdhënieve me këtë pjesë të botës dhe qasjen bashkëpunuese me të, në Konferencë merr pjesë edhe Ministrja e Jashtme e Kanadasë, zonja Christia Freeland, e cila ju drejtua me një fjalim të vlerësuar, këtij forumi ndërkombëtar.
“Ministri i jashtëm Pacolli pati një takim të shkurtër edhe me Ministren e Jashtme të Kanadasë, Kristia Freeland”, përfundon komunikata.

-
Pacolli shkon në Konferencën e Ministrave të Jashtëm të OBI në Daka
-
Ministri Pacolli pjesë e ministralit të OBI në Stamboll, mundësi për lobim
-
Pacolli në konferencën e ministrave të Frankofonisë bën thirrje për njohje të Kosovës
-
Pacolli në konferencën e ministrave të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë