Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, është në Daka të Bangladeshit, e sot ka vazhduar gjithashtu takime me ministra tjerë të jashtëm.
Gjatë ditës së djeshme, Pacolli ka thënë se ka bërë lobime për njohje të Kosovës, ka kërkuar për anëtarësim në Interpol e gjithashtu edhe anëtarësim në OBI (Organizatën Botërore Islamike), transmeton Koha.net.
Në një komunikatë për medie nga Ministria e Punëve të Jashtme, tregohen të gjitha kërkesat dhe çka u bisedua me ministra tjerë të jashtëm nga Pacolli.
Takimet e Behgjet Pacollit:
Pacolli, pati rastin të takonte Kryeministren e Bangladeshit Sheikh Hasina dhe Presidentin e Bangladeshit, Abdul Hamid. Kosova, thuhet në komunikatë, nëpërmjet këtyre takimeve mbajti hapur dyert e vendeve njohëse, loboi me këto vende për anëtarësimin e ardhshëm të saj në Interpol, ashtu si dhe pati takime shpresëdhënëse për njohje të reja.
Edhe
MPJ-ja njofton se Pacolli po lobon intensivisht për Kosovën në OBI
Me Ministrin e Jashtëm të Libisë, Mohamed Taha Siala, u diskutua për të nxitur bashkëpunimin dypalësh.
Me Ministrin e Jashtëm të Nigerit, Kalla Ankourao, foli sesi dy vendet mund të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme, në Organizata Ndërkombëtare, etj. Ambasadori i Kosovës në Senegal është akredituar së fundi edhe në Nigeri.
Me Ministrin e Punëve të Jashtme të Afganistanit, Salah Rabbani, u fol për nxitjen e bashkëpunimit dypalësh në gjithë Organizatat Ndërkombëtare dhe Kosova shprehu dëshirën për të thelluar marrëdhëniet me Afganistanin, duke mbetur mbështetëse e përpjekjeve për stabilizim të këtij vendi.
Me Ministrin e Punëve të Jashtme të Maldiveve, Mohamed Hasim, vendi i të cilit kërkon ulëse në Këshillin e Sigurimit të OKB, u fol për të intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe. Me Maldivet Kosova ka një marrëdhënie të hershme.
Me Ministren e Jashtme të Kanadasë, Kristia Freeland, u shkëmbyen pikëpamjet për bashkëpunimin dypalësh, dhe Pacolli shprehu mbështetje për vizionin e Kanadasë shprehur prej saj, për ndalimin e tragjedisë së Rohingave.
Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, pati takim edhe me Ministrin e Jashtëm të Palestinës, Riyad al Maliki, me të cilin u ra dakord të thellohet bashkëpunimi dypalësh.
Edhe
Kërkohet ndihma nga vendet frankofone për anëtarësimin e Kosovës në Interpol
Duke shfrytëzuar një konferencë si kjo, shefi i diplomacisë kosovare u takua dhe me Ministrat e Jashtëm të Kazakistanit, Kairat Abdrakhmanov dhe të Azerbajxhanit Elmar Mammadyarov, me të cilët foli për zhvillimet e fundit në skenën ndërkombëtare, ashtu dhe për nxitjen e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe tregtarë mes Kosovës dhe këtyre vendeve.
Pacolli takoi edhe Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Gyajanës, Carl Barrington Greenidge, vend të cilit ju kërkua mbështetja e Kosovës në Organizatat Ndërkombëtare dhe shkëmbimi i vizitave dypalëshe.
Me Ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Adel Aljubeir, pati rastin të konfirmonte marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve. Ai, e falënderoi Arabinë Saudite për mbështetjen e gjatë për Kosovën dhe e ftoi atë për vizitë në Prishtinë. Në bisedë u theksua nevoja për të punuar më shumë së bashku në fushën e tregtisë, ekonomisë, etj.
Pacolli, pati takim edhe me homologun e tij, Zëvendëskryeministrin turk, Bekir Ozdag, me të cilin u theksua niveli i lartë i marrëdhënieve dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme, mes të cilave anëtarësimi i Kosovës në Interpol.
Pacolli pati takim me homologun e tij të Bangladeshit, Mahmud Ali, të cilin e falënderoi për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të vendit të tij.
Ai zhvilloi dhe me homologun e tij nga Bregu i Fildishtë, Marcel Amon Tanoh, i cili është mik i mirë i Kosovës dhe vendi i tij e mbështet Kosovën në arenën ndërkombëtare. Pacolli e ftoi atë për një vizitë në Kosovë.
Edhe
Kujt “ia preu rrugën” sot Behgjet Pacolli në OKB
Ministri Pacolli takoi edhe Ministrin e Jashtëm të Senegalit, Sidiki Kaba, i cili e mbështet Kosovën për integrimin në Organizatat Ndërkombëtare. Ambasada e parë e Kosovës në Afrikë u hap në Senegal dhe dy vendet do të vazhdojnë ta forcojnë bashkëpunimin dypalësh.
Në një aktivitet të Organizatës Ndërkombëtare, e dyta në botë për numrin e madh të vendeve pas OKB-së, ishin të pranishëm mbi 80 delegacione, duke përfshirë atyre me statusin e anëtarit të OBI-it, si dhe të tjerave me statusin e vëzhguesit.