Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale ankohet për buxhet të pamjaftueshëm

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, ka deklaruar se gjendja e komplekseve memoriale nuk është e mirë dhe se ka munguar mirëmbajtja, prandaj edhe një pjesë e tyre kanë filluar të dëmtohen. Ndonëse ka pohuar se objektet që i kanë në menaxhim qëndrojnë më mirë, ai ka thënë se investime vështirë se mund të ketë për shkak të mungesë së buxhetit.

Vetëm gjatë vitit 2020, Agjencisë i është zvogëluar buxheti për 70 për qind. Shkurtime ka pasur edhe në vitin 2021, përderisa sivjet Zogaj ka bërë të ditur se nuk kanë buxhet të parashikuar.

“Nuk është bërë ndonjë punë e kualitetit, por mbi të gjitha ka munguar edhe mirëmbajtja e tyre kështu që kanë filluar të dëmtohen. Objektet apo projektet që i kemi realizuar ne si agjenci këto mund të themi se janë në gjendje jashtëzakonisht të mirë sepse shumicën prej tyre sidomos komplekset, ne edhe i mirëmbajmë po edhe projektet e tjera që i kemi ndërtuar janë të kualitetit të mirë dhe besoj se do të qëndrojnë kohës. Por në përgjithësi mund të themi se nuk është gjendja e mirë. Fatkeqësisht buxheti kur kam ardhur unë ka qenë pesë milionë e 50 mijë euro vetëm për investime kapitale, me tendencë të rritjes në bazë të të hyrave buxhetore në nivel të Kosovës. Por, në vitin 2020 për shkak të pandemisë buxheti na është zvogëluar bukur shumë, rreth 70% e buxhetit na është marrë për shkak të atyre pakove të emergjencës, pastaj edhe në vitin 2021 kemi pasur zvogëlim të buxhetit po edhe për vitin 2022 nuk e kemi buxhetin e parashikuar më herët”, ka thënë ai.

Zogaj ka theksuar se përpos mungesës së buxhetit, ka mungesë edhe të punëtorëve profesionistë, si arkitektë, ndërtimtarë e ciceronë.

“Kemi mungesë të buxhetit, kemi një mungesë tjetër shumë elementare që çdo herë bëjë kërkesë por që deri më tani nuk kam mundur ta realizoj. Kemi mungesë të punëtorëve, mbi të gjitha ka mungesë të punëtorëve profesionist si arkitektë dhe ndërtimtarë e për ciceronë”.

Problem tjetër tash, Zogaj ka thënë se po iu paraqet edhe ngritja e çmimeve, duke ndikuar kështu edhe në projekte e nisura, e që janë bartur nga vitet paraprake duke shkuar deri në 20 mijë euro më shtrenjtë.

Edhe Zogaj ankohet për mungesë të buxhetit: Shumë artefakte kanë filluar të zhduken, disa kanë humbur Arbëri Zogaj ankohet për mungesë të buxhetit: Shumë artefakte kanë filluar të zhduken, disa kanë humbur

“Problem tjetër i veçantë që na ka dalë këtë vit është edhe fakti që janë ngritur çmimet dhe ne kërkesat për projekte i kemi që nga vitet e më hershme, që s’kemi mundur t’i fusim. Për shembull një projekt që ka ardhur në vitin 2019 dhe nuk kemi pasur mundësi që ta fusim më herët e kemi fut në buxhetin e vitit 2022 atëherë kanë qenë çmimet e tjera dhe një projekt që ka kushtuar 50 mijë euro në 2018, 2019 tani kushton minimumi 70 mijë euro. Pra ka ndryshuar edhe kostoja e atyre projekteve”, ka thënë ai.

Zogaj ka shtuar se Kompleksi “Adem Jashari” është kompetencë e komitetit ndërministror, kurse mirëmbajtja i takon agjencisë. Sipas tij, me planin e Qeverisë, ky projekt parashihet që të përfshijë ekspertë të huaj, duke shpresuar që të jetësohet siç e meriton.

“Tani e kemi komitetin e tretë që është formuar që e udhëheq kryeministri Albin Kurti dhe tani një qasje tjetër sepse ky komitet e ka formuar një komision të ekspertëve të cilët kanë filluar punimet rreth detyrës projektuese. Ne edhe në këtë komitet e kemi prezantuar detyrën që e kemi dhe këta ekspertë e kanë marrë të gjithë dokumentacionin ekzistues në agjenci që nga fillimi edhe te ministria e ambientit çka ka ekzistuar edhe në komunë dhe janë duke e konsultuar. Parashihet të jetë një projekt bukur i madh, bukur i mirë dhe po shpresojmë që më në fund këta ekspertë të cilët janë të lëmive të ndryshme dhe kemi nga Bosnja, Shqipëri, Maqedonia edhe vendorë që do të bëjnë detyrën projektuese, po shpresojnë që do ta bëjnë një detyrë projektuese të mirë”, ka thënë ai. /EO