Agjencia Kadastrale e Kosovës si organ kompetent në fushën e kadastrës, gjeodezisë dhe hartografisë, si dhe me përgjegjësi për mirëmbajtjen e regjistrit të të drejtave të pronave të paluajtshme dhe për koordinimin e infrastrukturës kombëtare për informacione hapësinore, është pjesëmarrëse e nismave të ndryshme regjionale dhe ndërkombëtare brenda fushave të cilat i mbulon.
Po ashtu, AKK është edhe në zgjerim të vazhdueshëm të rrjetit të bashkëpunëtorëve si me institucione publike brenda Republikës së Kosovës po ashtu edhe me institucionet homologe nga shtetet e regjionit dhe ato anëtare të BE-së. Ndërsa me qëllim të thellimit të bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët, sot në Agjencinë Kadastrale të Kosovës është mbajtur edhe një takim pune mes Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës Avni Ahmeti dhe Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë për Kadastër të Republikës së Maqedonisë së Veriut Boris Tunxhev.
Sipas njoftimit dërguar mediave, në takim dy prijësit e institucioneve të sipër përmendura, të shoqëruar edhe nga bashkëpunëtorët e tyre nga fusha e kadastrës, gjeodezisë, hartografisë, teknologjisë së informacionit dhe nga ekspertë ligjor, pos që kanë prezantuar aktivitetet, projektet e sfidat e institucioneve respektive, kanë nënshkruar edhe dy marrëveshje, respektivisht një Marrëveshje Bashkëpunimi dhe një Marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave nga rrjetet permanente gjeodezike KOPOS dhe MAKPOS, respektivisht shfrytëzimi e pikave të rrjetit permanent të Republikës së Kosovës (KOPOS) nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe shfrytëzimi i pikave të rrjetit permanent të Republikës së Maqedonisë së Veriut (MAKPOS), nga Republika e Kosovës, që do të mundësonte mbulueshmërinë me sinjal për aktivitete gjeodezike që kryhen në zonat e brezit kufitar mes dyja shteteve.
Ndërsa sa i përket Marrëveshjes për bashkëpunim, e njëjta specifikon fushat ku do të mund të thellohej bashkëpunimi mes institucioneve, si shkëmbimi i përvojave e ekspertizave, ofrimi i përkrahjes në fusha profesionale, harmonizimi i të dhënave gjeohapësinore e ngjashëm.
Menjëherë pas nënshkrimit të këtyre dy Marrëveshjeve, ekspertët e Agjencisë Kadastrale e Kosovës mbajtën edhe prezantim të dy projekteve të cilat ajo ka implementuar me sukses ndërsa në shtetin fqinj pritet të implementohen në të ardhmen, si Sistemi i Unifikuar i Adresave dhe përdorimi i fluturakes pa pilot (DRON) për matje kadastrale.