Pasi kishin dështuar në testin e sigurisë, kur një person i armatosur kishte shkuar deri te sistemi i radarëve në Golesh, i cili monitoron aeroplanët në hapësirën ajrore të Kosovës, Agjencia e Shërbimit të Navigacionit Ajror kishte vendosur të pajiset me kamera të sigurisë.
Dy procese të prokurimit tashmë i ka hapur kjo agjenci. Por kamerat e sigurisë ka muaj që janë vendosur në administratë dhe në gjithë hapësirat e kësaj agjencie, raporton KTV.
Kamerat të njëjta janë vendosur edhe në hapësirën ku ndodhët Radari në Golesh dhe sipas informacioneve që posedon KTV-ja ato janë vendosur menjëherë pas dështimit të testit të sigurisë të bërë nga Ministria e Brendshme.
KTV-ja ka marrë vesh se nga dy kamera statike, që ishin në Golesh, pas këtij rasti, janë vendosur edhe 5 të tjera.
Sidoqoftë, rreth 12 kamera pritet të blihen me procesin e prokurimit në tenderin “Furnizim me pajisje për siguri”, që është paraparë të kushtojë 30 mijë euro dhe afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 27 marsi.
Edhe
Për radarin në Golesh s’u paguan 200 mijë euro, tash duhen 4.5 milionë
Një proces tjetër me vlerë prej 6.500 euro është paraparë që dorëzimi i ofertave të bëhet deri më 21 mars, ku do të blihen 35 kamera të tjera.
Në Agjenci thonë se nuk kanë hapur dy procese të prokurimit por e kanë një të vetëm, i cili sipas tyre, është ndarë në lote.
Agjencia Kundër Korrupsionit për procesin e fundit të tenderimit në atë për “Furnizim me IP kamera të jashtme dhe të brendshme” ka ngritur shqetësimin se Autoriteti Kontraktues i ASHNA-së ka shkelur dispozitat e ligjit për prokurimin publik.
Antikorrupsioni thotë se ASHNA nuk ka guxuar ta përcaktojë si kriter që furnizuesi me kamera duhet të ketë pasur kontrata vetëm me autoritetet kontaktuese.
“Një autoritet kontraktues ka të drejtë që në kuadër të kritereve të kërkojë si dëshmi kontrata dhe referenca, me të cilat do të vërtetonte kapacitetin teknik e profesional të OE-së, mirëpo, nëse autoriteti kontraktues vendos një kërkesë të tillë për ta vërtetuar aftësinë teknike dhe profesionale të operatorëve ekonomikë duhet të ceket referenca apo certifikata e autoriteteve publike dhe personave privatë e jo siç ka vepruar në rastin konkret Autoriteti Kontraktues, duke cekur vetëm referenca të ndonjë autoriteti kontraktues”, thuhet në opinionin e AKK-së.
Agjencia i ka bërë me dije ASHNA-së se për këtë çështje do të lajmërojë edhe Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik.
Kohavisioni, ditë më parë, kishte drejtuar pyetjet në këtë agjenci, nëse do të marrë parasysh vërejtjet e AKK-së rreth tenderit, por nuk kishte marrë përgjigje.
Edhe
Shumica e bizneseve kanë vendosur kamera në objekte në kundërshtim me ligjin
Zëdhënësi i ASHNA-së, Driton Ujkani, kishte thënë se Agjencia ende kishte në fuqi vendimin, i cili ua ndalonte të përgjigjeshin në çfarëdo emaili apo pyetjeje që drejtohet nga gazetarja Ardiana Thaçi.
Megjithatë ASHNA përgjigjet i ka kthyer në njërën nga adresat elektronike të grupit Koha.