Arbëri

Agim Veliu e çon Podujevën në zgjedhje – qytetarët besojnë se fiton sërish LDK-ja

Pas dhjetë vjetësh, Agim Veliu ka vendosur ta lërë pozitën e kryetarit të Komunës së Podujevës për një post të lartë ministror. Veliu i ka dhënë fund qeverisjes njëdekadëshe me këtë komunë, duke zgjedhur të bëhet ministër i Punëve të Brendshme në ekzekutivin e ri.

Ky vendim i Veliut të LDK-së e dërgon Podujevën në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh, raporton KTV.

Ndonëse komuna e tyre do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, qytetarët e Podujevës kanë mirëpritur vendimin e kryetarit të tyre që ta lërë Komunën për t’u bërë ministër i Punëve të Brendshme.

Disa llapjanë mendojnë se një tjetër parti do ta udhëheqë Komunën e tyre pas këtyre zgjedhjeve.

Deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, Komunën do ta udhëheqë nënkryetari Nexhmi Rudari, i cili beson se LDK-së nuk i rrezikohet fitorja.

Në ditët në vazhdim, Kryesia e Degës së LDK-së në Podujevë do të mblidhet për të shqyrtuar kandidaturat për kryetar. Agim Veliu do të vazhdojë të mbetet kryetar i kësaj dege.