Arbëri

“Admovere” e quan kufizim të lirisë së shprehjes vendimin e Themelores, ankohet në Apel

Organizata joqeveritare “Admovere” përmes një komunikate për media bën të ditur se do të paraqet ankesë në Gjykatën e Apelit për vendimin e Gjykatës Themelore në rastin e Mejdi Bektashit.

Ditë më parë Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur që “Admovere” ta heqë nga qarkullimi raportin në të cilin profesorin e Juridikut, Mejdi Bektashi, e quan plagjiator, kishte raportuar Koha Ditore.

“Njoftojmë opinionin publik dhe mediat se OJQ ‘Admovere’, sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së sigurisë në rastin e ‘padisë për shpifje’ të Mejdi Bektashit kundër OJQ ‘Admovere’, do ta tërheqë nga qarkullimi, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës pjesën e raportit ‘Stafi Akademik i UP-së’, faqe 43, paragrafi i parë, ku flitet për paditësin”, thuhet në komunikatë.

Gjykata e detyron “Admoveren” ta heqë raportin që e cilëson plagjiator Mejdi Bektashin

Më tutje thuhet se, ““Admovere” e konsideron vendimin e gjykatës si kufizim të padrejtë të lirisë së shprehjes dhe kundër tij do të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor”.

Megjithëqë “Admovere” e konsideron vendimin të padrejtë dhe, pavarësisht mendimit për sistemin gjyqësor të Kosovës, thotë se ka vendosur që t’i shtjerrë të gjitha mjetet ligjore, ndërkohë që do ta zbatojë vendimin në fjalë.

“Kjo na detyron që t’u kërkojmë të gjitha medieve që kanë publikuar pjesën e tërhequr nga ne, të veprojnë njësoj. Po ashtu, u bëjmë thirrje të gjitha palëve që posedojnë kopje të raportit që ta tërheqin nga qarkullimi pjesën në fjalë deri në vendimin përfundimtar të gjykatës”, thuhet në komunikatë.