Sekretari Organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka hedhur kritika të ashpra ndaj partnerit të koalicionit në Qeveri, Lëvizjes Vetëvendosje, pas vendimit të kryeministrit Albin Kurti për ta shkarkuar ministrin Agim Veliu nga posti.
E Veliu, në një prononcim për Kohën, pas vendimit të Kurtit, tha se nuk e ka parë ende vendimin.
Por Abrashi, përmes një postimi në Facebook, thotë se “Albin Kurti me veprimin e sotëm të shkarkimit të Ministrit Agim Veliu, edhe njëherë dëshmoi se qëllimi i tij është lufta kundër LDK-së dhe jo lufta kundër kapjes së shtetit”.
Sipas tij, Kurti në fillim ishte kundër Presidentit Ibrahim Rugova, “por në pamundësi të luftojë figurën e Presidentit Rugova, tash z. Kurti ka zgjedhur të luftojë partinë e tij, pra duke goditur LDK-në”.
“Lufta e z.Kurtit ndaj LDK-së vetëm ka ndryshuar formën, është duke u bërë me dinake dhe plot gënjeshtra. Kurti nuk ka problem vetëm me z.Veliu, por ka problem edhe me LDK-në në Podujevë. Sot Kurti po sulmon LDK-në në Podujevë, njëjtë nesër do të sulmojë LDK-në në Gjilan, Pejë, çdo kund tjetër. Kurti ka problem me LDK-në, jo veç me personat brenda LDK-së, ashtu siç ka problemet e tij ideologjike me Presidentin Rugova dhe me veprimet shtetndërtuese të LDK-së gjatë gjithë periudhës”, ka thënë ndër të tjera deputeti i LDK-së, raporton KOHA.
Por, Abrashi fajëson edhe “disa persona brenda LDK-së” që thotë se po i kontribuojnë kauzës së Kurtit për ta shkatërruar LDK-në. Ai thotë se ata persona të partisë së tij “mund të shohin ndonjë oportunitet në ngritjen e tyre karrieriste brenda LDK-së, e që në të ardhmen do t’i shërbejnë atij”.
“Prandaj, z. Kurtin e keni dëgjuar me dinakëri që një ditë të lavdëron dikë nga LDK-ja, dhe ditën tjetër të sulmojë dikë tjetër. Kjo në fjalë popullore do të ishte e barabartë me ‘Të vranë natën e të qan ditën’”, tha më tej ai.
Në fund, ai kërkon që të ngrihen kundër veprimeve të Kurtit, “jo vetëm të gjithë anëtarët e LDK-së, por edhe qytetarët e Kosovës”.
“Kurti sot është kundër LDK-së, pikërisht pasi që është LDK-ja ajo që po ia pamundëson z. Kurti që Kosova të prishë marrëdhëniet me SHBA-në”, tha Abrashi në fund, për ta përmbyllur me shprehjen tashmë të famshme rreth koronavirusit, “Frikë JO, Kujdes PO”.