Hulumtuesi i politikës së jashtme, Emir Abrashi, ka akuzuar për standarde të dyfishta pushtetin aktual, pasi nuk mori masa ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, pas implikimit në një skandal financiar në Slloveni.
Emri i Berishajt është krahas kryetarit të partisë Lëvizja për Liri në Slloveni, Robert Golob, që i ka fituar zgjedhjet. Sipas Planet TV, politikani slloven është duke u hetuar ndërkombëtarisht për disa transaksione që i ka dërguar nga një degë serbe e furnizuesit energjetik slloven GEN-I, te kompania e ambasadorit kosovar MB Consulting. Mbështetur në këtë raportim, kompania e Berishajt i ka marrë 600 mijë euro, të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet. Vetë Berishaj i ka mohuar këto akuza dhe ka paralajmëruar padi ndaj mediumit slloven, ndërsa krerët e shtetit i kanë dalë në mbrojtje.
Sipas Abrashit, qasja e pushtetit, në mbrojtje të Berishajt, është e gabuar.
“Skandalet diplomatike i ndodhin pothuajse secilit vend, por mënyra si trajtohen nga qeveritë e atyre vendeve është ndryshe nga ajo si po e trajton Qeveria e Kosovës. Kemi një qeveri që ka ardhur me premtime për qasje ndryshe, e tash thjesht kur njerëzit e afërt me ta po përfshihen në skandale diplomatike po e fusin kokën në rërë, duke u munduar të pretendohet se s’ka ndodhur asgjë”, ka thënë Abrashi në “Interaktiv” të KTV-së duke shtuar se Berishaj është dashur të lirohet nga detyra pa marrë parasysh që s’ka vendim gjyqësor për të.
“S’mund të presim që shtetet tjera të marrin veprime e ta shpallin fajtor për përfshirje në skandal, e që më pas të fillojmë të marrim veprime. Duhet t’u paraprijmë gjërave. MPJ-ja duhet t’i izolojë skandalet e të marrë veprime të shpejta. Mos të presë që në të ardhmen ta zëmë, Republika e Kroacisë ta shpallë persona non-grata. Prandaj MPJ-ja duhet të jetë tejet e shpejtë në reagim”, ka shtuar Abrashi.
Sipas tij, moslargimi i Berishajt “është standard i dyfishtë” i pushtetit.
“Po rrezikohet imazhi i shtetit tonë pranë një aleati si Kroacia. S’di çka e bën të paprekshëm Berishajn, por e çuditshme se si presidentja po atë ditë doli e tha se i beson. Në letrën për kërkesën për shtetësinë e Kosovës, Berishaj i kishte shkruar Osmanit se është në kryesi të Vetëvendosjes. Kjo e ngre pyetjen se ndoshta është një nga financuesit e VV-së. Lidhhet s’duhet të ndërhyjnë. Ka standarde të dyfishta në dy raste. Berishaj dhe për diplomatin në Shkup dhe zotëriun e parë, Prindon Sadriu. S’mori veprime ndëshkimore ndaj tij. Ka standarde të dyfishta nga ministrja e Punëve të Jashtme (Donika Gërvalla), që mban edhe pozitën e zëvendëskryeministres. Janë të papranueshme dhe ngjall joseriozitet sepse të gjithë të tjerët janë të cenueshëm, por për zyrtarë të VV-së e zyrtarin e parë janë të paprekshëm. S’ka drejtësi e barazi në Shërbimin e Jashtëm”, ka thënë ai duke shtuar se “Po të ishte Berishaj nga një parti tjetër do të shkarkohej qysh në gusht 2021 bashkë me ambasadorët tjerë siç janë kthyer”.