Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Abdixhiku: S’mund t’i shpenzojmë 110 milionë euro pa ligj, autostrada Prishtinë-Gjilan do të vazhdojë

Foto: Lumir Abdixhiku/Facebook

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka thënë se sot Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka anuluar tenderin 110 milionësh të shpallur pa miratim buxhetor në kohën e tranzicionit qeveritar.

Ai ka thënë se me këtë vendim ia kanë kthyer ligjshmërinë një procesi të rëndësishëm financiar për vendin.

“110 milionë euro s’mund të shpenzohen pa ligj; jo në këtë epokë të re qeverisëse”, thuhet në njoftim.

Ai tutje ka shtuar se projekti i autostradës Prishtinë-Gjilan do të vazhdojë.

“Qeveria e re i siguron banorët e Anamoravës se projekti i autostradës Prishtinë-Gjilan vazhdon. Është prioritet i programit tonë. Javën që vjen do t’i vizitoj punimet e deritanishme që duket se kanë mbetur prapa në kohë. Do t’i japim ritëm të ri”, ka shkruar ai në Facebook.

Më herët Koha ka raportuar se me vendim të sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit është anuluar tenderi për ndërtimin e autostradës së Anamoravës.