Arbëri

Rekomandohet anulimi i tenderit për Autostradën e Gjilanit me vlerë mbi 100 mln euro

Zyra e Kryeministrit ka rekomanduar anulimin e tenderit për Autostradën e Gjilanit me vlerë 110 milionë euro.

Të jashtëligjshëm e ka konsideruar ZKM-ja shpalljen e tenderit për ndërtimin e kësaj autostrade.

Zyra Ligjore e këtij institucioni, përmes një opinioni ligjor, ka rekomanduar që ky tender të anulohet, raporton KTV.

Tenderi, ishte proceduar dy javë para se qeveria e re ta merrte mandatin.

Ndonëse vlera e paraparë e projektit është mbi 100 milionë euro, paratë, siç e kërkon Ligji i prokurimit publik, nuk ishin zotuar.

Kjo është arsyeja kryesore që, sipas Zyrës së Kryeministrit, këtë procedurë e bën të paligjshme.

Zyra Ligjore e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, përmes opinionit ligjor që e ka përfunduar ditën e premte, ka konstatuar se ishte e jashtëligjshme hapja e tenderit të Autostradës së Gjilanit.

“Rrjedhimisht, asnjë procedurë e prokurimit publik nuk mund të fillojë përderisa nuk janë siguruar fondet, si dhe asnjë obligim kontraktual nuk mund të ndodhë”, thuhet në këtë opinion.

Bazuar në këtë, rekomandohet që tenderi të anulohet.

“Rekomandohet Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, që të bëjë anulimin e menjëhershëm të shpalljes së tenderit ‘Ndërtimi i Autoudhës...’”, thuhet në këtë opinion.

Pasi ka pranuar opinionin ligjor, ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, i ka bërë shkresë sekretarit të kësaj ministrie, Betim Reçica.

I ka dhënë afat deri të martën që ta anulojë këtë tender.

“Luteni t’i merrni hapat e nevojshëm ligjorë, jo më larg se me datën 18 shkurt 2020, deri në fund të orarit të punës, dhe të më raportoni me shkrim”, thuhet në shkresën e Abdixhikut drejtuar Reçicës.

“Koha Ditore”, në numrin e së premtes, ka raportuar për mospajtimet e stafit civil me deklaratat e Abdixhikut, që duhet të ndiqen rrugët ligjore për ta anuluar këtë tender.

Drejtoresha e prokurimit, Valmira Bllaca, dhe sekretari i kësaj ministrie, Betim Reçica, kanë konsideruar se “Abdixhiku ka bërë presion për këtë tender”.