Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar për vendimet që janë marrë në mbledhjen e sotme të kësaj partie.
Ai ndër të tjera ka thënë se LDK-ja do të angazhohet të jetë një opozitë e reformuar dhe një alternativë kredibile. Por sipas tij, mbi të gjitha LDK-ja do të jetë një organizatë politike që pasuron radhët e veta me njerëzit më të mirë të vendit.
Sipas Abdixhikut, rruga përpara është e gjatë por hapat e tyre janë të sigurt.
“Në këtë balancë të për bashkimit të brendshëm, reformimit adekuat e zgjerimit tonë të pandalshëm, qëndron edhe vullneti ynë për rikthimin tonë të madh”, ka shkruar ai.
Ai tutje ka njoftuar se në mbledhjen e sotme të Kryesisë së LDK-së, kanë marrë disa vendime në lidhje me organizimin e brendshëm, vendime që sipas tij, kanë për qëllim forcimin tonë të brendshëm e artikulimin e nevojshëm opozitar në vend.
“Në përputhje me Platformën për reforma dhe riorganizim, të paraqitur nga unë e të miratuar nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, krijuam ekipet të cilat do ta bëjnë vlerësimin e gjendjes aktuale në degët tona. Ekipet do të propozojnë reformimin e thellë tonin; të domosdoshëm për kohën dhe për nevojat e ardhshme. Reforma synon t’i hapë strukturat tona ndaj individëve me kredibilitet dhe të rinjve e të rejave që besojnë në vlerat tona të përbashkëta. Ky proces është parakusht për zgjedhjet e ardhshme lokale. Me qëllim të komunikimit më të mirë me publikun, me votuesit e me anëtarësië tonë, aprovuam strukturën e re organizative nëpërmjet së cilës riorganizuam Zyrën për Media dhe Qendrën për Informim të Kosovës, të njohur si QIK. Në kuadër të këtij riorganizimi, në kuadër të Fondacionit “Ibrahim Rugova” themeluam edhe Shkollën Politike; detyrë e së cilës do të jetë organizimi teorik e praktik për të rinjtë e të rejat me bindje të qendrës së djathtë. Themeluam gjashtë departamente, të cilat në baza të rregullta do të përgatisin dhe hartojnë qëndrimet politike të LDK-së, si dhe gjithë alternativën opozitare ndaj pushtetit. Themeluam Departamentin e Politikës së Jashtme; Departamentin e Rendit, Ligjit dhe Sigurisë; Departamentin e Ekonomisë dhe Biznesit; Departamentin e Arsimit, Kulturës dhe Sportit; Departamentin e Shëndetësisë; Departamentin e Rinisë; si dhe Departamentin e Avancimit Shoqëror. Në ditët në vijim do t’i shtojmë edhe Departamentin për Mërgatë. Pjesë e këtyre departamenteve do të jenë njerëzit më profesionistë që LDK i ka, dhe të tjerë që do t’i bashkëngjitën radhëve tona”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se kanë miratuar edhe planin për nismën e regjistrimit të anëtarësisë aktuale, dhe për regjistrimin e anëtarësisë së re. Sipas tij, ky proces do të jetë thelbi i organizimit tyre në një strukturë moderne e të qëndrueshme për kohën.