Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se janë tri elemente që partia e tij i sheh si të gabuara në Marrëveshjen e Ohrit të arritur sivjet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, elementet kryesore të gabuara janë se marrëveshja nuk është përfundimtare, por bazë, se s’është ligjërisht e obligueshme dhe se e përmban instrumentin vetëmenaxhues për serbët.
Ai ka thënë se mosprioritizimi i dialogut ka bërë që Kosova “të gabojë në hapa në dialog”.
“Kemi përfunduar në marrëveshjen e Ohrit, në tri elemente që i kemi kritikuar. S’është përfundimtare, por bazë. Unë them se janë harruar parimet. Thuhet se do të negociohet për 10 vjetët e ardhshme. S’është ligjërisht e obligueshme sepse s’e parandalon sjelljen e palës tjetër. E treta më e rënda, përmban instrument vetëmenaxhues, që në interpretimin tonë nga Karta për menaxhim lokal nënkupton që tejkalojnë asociacionin që kemi tash. Kam parë 15 modelet - janë të trishtueshme”, ka thënë Abdixhiku në emisionin “Konfront” të KTV-së të enjten.
Abdixhiku ka thënë se përballja e Kosovës me Serbinë s’është e re asnjëherë, teksa ka thënë se ka vlerësuar përgjigjen e institucioneve të sigurisë dhe atyre politike për sulmin terrorist më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit. Megjithatë, ai është shprehur kritikues për angazhim diplomatik të Kosovës pas këtij sulmi.
Ai ka thënë se ka pritur angazhim më të madh diplomatik sidomos në qendrat kryesore botërore. Abdixhiku ka akuzuar Qeverinë Kurti se i mungon strategji për bashkëpunim me aleatët.
“Strategjia s’mund të vijë pas disa hapave të gabuar. Për të ndjekur ku ka filluar hapi i gabuar unë mendoj se vjen prej ditës së parë kur s’kemi trajtuar dialogun me seriozitetin e plotë. Madje kemi thënë se s’është prioritar, por kemi kërkuar riformatim. Me të gjitha të metat, që mendoj se ka pasur plot sepse isha ndër kritikët që nga 2012-a e tutje, mendoj se vlera thelbësore ka qenë që asgjë s’është dakorduar deri sa gjithçka të dakordohet. Parimi thelbësor i ka lënë hapësirë Kosovës të mos futet në marrëveshje të ndërmjetme, por të synojë marrëveshjen finale me njohjen reciproke në qendër. Koha s’na pret, po të merreshim nga shkurti i 2021-s si prioritet kombëtar, po të besonim se ishte interes, do të bëheshin përpjekje të mbylljen në parimet që na interesojnë”, ka thënë ai duke shtuar se nga Kosova ka pasur qasje refuzuese.