Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Abdixhiku: Kosova e Shqipëria kanë nevojë për bashkërenditje të politikave shtetërore

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se përfaqësuesit e shtetit të Kosovës dhe ata të Shqipërisë e kanë për obligim patriotik që komunikimin e relacionin mes dy shteteve ta mbajnë në nivelin më të lartë, më të afërt e më të qartë. Pas një takimi që ka pasur të premten me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, Abdixhiku ka thënë se dy shtetet kanë nevojë të domosdoshme për bashkërenditje të ngushtë të politikave shtetërore – sidomos në periudhën aktuale.

“Sot, pas ftesës së Kryeministrit Rama, vizitova Tiranën. Takimet me Kryeministrin shqiptar janë gjithnjë të veçanta. Edhe ky i sotmi s’ishte më ndryshe. Me Edin biseduam për bashkëpunimin ndërpartiak; për punët e partive tona përpara, por mbi të gjitha, biseduam për nevojën e domosdoshme për bashkërenditje të ngushtë të politikave mes dy shteteve - sidomos në periudhën e tanishme nëpër të cilën regjioni po kalon. Shqipëria, vend i NATO-s, më shumë se vend fqinj i yni, ka shumë për t’i dhënë Kosovës; e Kosova, vend që aspiron NATO-n, ka shumë për të marrë nga Shqipëria. Prandaj, përfaqësuesit politik të dy shteteve e kanë për obligim patriotik që këtë komunikim e këtë relacion ta mirëmbajnë në nivelet më të larta, më të afërta e më të qarta”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Deklarata e Abdixhikut për bashkërendimin ndërshtetëror dhe për NATO-n vjen në kohën kur tensionet janë ngritur edhe në rajon, pas shqetësimeve se Serbia mund të veprojë njëjtë sikur Rusia që ka nisur pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit.

Takimin e ka cilësuar shumë të hapur e miqësor edhe kryeministri Rama. Ai e ka quajtur Abdixhikun kryetar reformator të LDK-së.