Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Abdixhiku e Gjini takohen me senatorët amerikanë, në fokus raportet me SHBA-në

lumir abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ai i  Aleancës Ardian Gjini kanë pritur në takime të ndara senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se në takim ka theksuar nevojën për rikthimin e dialogut strategjik me SHBA-në. Ai ka thënë se Kosovës i duhet ta forcojë besimin dhe bashkëpunimin me aleatin e saj më të rëndësishëm.

“Kjo kërkon përkushtim, përgjegjësi dhe veprime konkrete. Për LDK-në, miqësia me Amerikën është pjesë e identitetit tonë. Ta ruajmë e ta forcojmë këtë miqësi është detyrë e përhershme”, ka shkruar ai.

Ndërkaq Gjini derisa e ka quajtur përmbajtjesor takimin me senatorët ka shkruar se ka theksuar se burim i jostabilitetit në rajon mbetet Serbia me insistimin e saj për zgjerim dhe ndryshim të kufijve.

Prandaj sipas Gjinit, integrimi i Kosovës në NATO, me ndihmën e SHBA-së, është garancia e vetme për zhvillim të qëndrueshëm dhe demokraci stabile, jo vetëm për Kosovën.

“Për Aleancën, rreshtimi gjeopolitik me SHBA-të është garancia e vetme për një terren të sigurt investimesh, zhvillim të qëndrueshëm dhe institucione të forta e të pavarura. Nuk mund të ketë ecuri përpara apo stabilitet afatgjatë pa një bashkëpunim të ngushtë dhe besim të ndërsjellë të mëtejshëm me Uashingtonin zyrtar. Kosova është e bekuar me miqtë e saj”, ka shkruar ai.

Edhe Kurti është takuar të hënën me senatorët. Këto takime po mbahen pasi Shaheen dhe Durbin janë duke qëndruar në Kosovë ku fillimisht janë pritur nga presidentja e Kosovës, Justina Shiroka - Pula.