Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Abbott: Zgjidhjes së situatës në veri t’i jepet kohë për zgjidhje afatgjate

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, deklaroi se zgjidhjes së situatës në veri të Kosovës, duhet t’i jepet kohë dhe hapësirës, në mënyrë që sipas tij, të gjendet zgjidhje afatgjate.

Ai shkroi në Twitter të martën se Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, duhet t’u lejohet ta kryejnë detyrën profesionale, pa u shqetësuar për prioritete politike.

“Zgjidhja e situatës së vështirë dhe të rrezikshme në veri kërkon durim dhe qetësi. Është e rëndësishme që t'i jepet kohë dhe hapësirë për të gjetur zgjidhje afatgjata për të mirën e të gjithë qytetarëve”, shkroi Abbott.

Të martën u shënua dita e 11-të e vendosjes së barrikadave nga serbët në veri të Kosovës.

Institucionet e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që barrikadat të hiqen sa më parë. Përfaqësuesi i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, tha ditë më parë se barrikadat duhet t’i heqin “ata që i kanë vendosur”.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka thënë se po pret ndihmën e KFOR-it për largimin e barrikadave.