Shqetësues e të tensionuar e ka kualifikuar Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, situatën në veriun e barrikaduar nga serbët lokalë që prej 11 ditësh.
Përderisa rrugët kryesore që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë - në Jarinjë dhe Brënjak – vazhdojnë të jenë të pakalueshme shkaku i barrikadave, në EULEX e kanë theksuar, nëpërmjet një përgjigjeje për KosovaPressin, rëndësinë e depërshkallëzimit të situatës në veriun e Kosovës.
“Gjatë patrullimeve tona në terren, jemi dëshmitarë të një pranie shqetësuese të të armatosurve, shpesh nga individë dhe grupe të maskuara, në veri të Kosovës. Kjo është e papranueshme. Jemi dëshmitarë të vendosjes së barrikadave shtesë, të cilat duhet të hiqen menjëherë. Ato janë të paligjshme dhe e pengojnë lirinë e lëvizjes. Krahas këtyre shqetësimeve, edhe kriminaliteti në veri të Kosovës është shqetësues. Vakumi i sigurisë, i krijuar pas dorëheqjes së policëve serbë të Kosovës, mund të shfrytëzohet nga grupet kriminale. U takon agjencive të zbatimit të ligjit që ta parandalojnë këtë”, thuhet nga EULEX-i.
Shqetësime rreth situatës në veri ka shprehur të martën edhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott. Ai ka thënë se institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare të sigurisë duhen lejuar që ta kryejnë punën e tyre.
“Zgjidhja e situatës së vështirë dhe të rrezikshme në veri kërkon durim dhe qetësi. Është e rëndësishme që t’i jepet kohë dhe hapësirë për të gjetur zgjidhje afatgjata për të mirën e të gjithë qytetarëve. Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe pa u shqetësuar për prioritetet politike”, tha Abbott.
E kryeministri Albin Kurti nga e përditshmja britanike “Guardian” është cituar të ketë thënë se heqja e barrikadave në veri mund të rezultojë me viktima.
“Shqetësimi ynë është se heqja e barrikadave nuk mund ta përjashtojë mundësinë e viktimave. Dhe kjo është pse ne duam të jemi të kujdesshëm sa më tepër që është e mundur”, tha Kurti.
E kundër këtij vlerësimi të Kurtit ka reaguar kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
“Kurti haptazi sugjeron vrasjen e serbëve në barrikada, sepse, sipas tij, barrikadat nuk mund t’i heqë në asnjë mënyrë tjetër. Ai po bën thirrje për vrasjen e nënave tona, të motrave tona, të punëtorëve, mjekëve dhe profesorëve tanë që po luftojnë ditë e natë, paqësisht, kundër terrorit të tij”, tha Rakiq.
Rrugët drejt Jarinjës e Bërnjakut janë bllokuar me barrikada që nga arrestimi i ish-policit Dejan Pantiq, nën dyshimin për pjesëmarrje në sulmet e ndërmarra ndaj zyrave të Komisioneve Zgjedhore në Mitrovicë të Veriut, në mbrëmjen e 6 dhjetorit.