Misioni i sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, ka bërë të ditur se është duke e monitoruar nga afër situatën e sigurisë në pjesën veriore të vendit, përmes pranisë së tyre të shtuar në terren.
EULEX ka potencuar se është duke kryer patrullime vëzhguese, përfshirë patrullimet në këmbë në Mitrovicën e veriut dhe në Zveçan.
“Duke e pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës dhe vendosjen e barrikadave shtesë, EULEX-i rregullisht e përshtatë praninë e tij për ta pasqyruar situatën në terren, si dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, është bërë e ditur në njoftimin.
Barrikadat e vendosura në veri të vendit tash e 13 ditë vazhdojnë të qëndrojnë duke vështirësuar jetën e qytetarëve në atë pjesë, ndërsa rrugët në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut janë të bllokuara.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.
I ashtuquajturi shtabi i krizës në veri të vendit, i formuar nga serbët lokalë, ka ftuar protestën që do të mbahet sot në Rudar të komunës së Zveçanit. Përfaqësues të këtij shtabi kanë bërë të ditur se organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim, si dhe të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Sipas tyre, Kurti ka bërë thirrje për vrasjen e serbëve në barrikada dhe zhdukjen e tyre, ndërsa ambasadori gjerman me deklaratat e tij po e mbështetë drejtpërdrejt dhe hapur kryeministrin Kurti.