Në ditën kur partia e tij e nominoi për zv.kryeministër të dytë të Kosovës, Haki Abazit i është sjellë në vëmendje një status në Facebook, i janarit të vitit 2018.
Kjo ishte koha kur kishin nisur dorëheqjet nga Vetëvendosja, por partia nuk ishte ndarë ende, raporton KTV.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAty, Abazi, atëherë si analist, i kishte akuzuar Dardan Molliqajn, që mbante post të lartë në Vetëvendosje, dhe Frashër Krasniqin, se mund të kenë lidhje me vrasjes e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit.
Pa pasur dijeni për përmbajtjen e qëndrimit të Abazit, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e ka ftuar kolegun partiak të japë sqarime.
Abazi i ka thënë KTV-së të martën se statusi nuk kishte të bënte asgjë me partinë që i takon tani, dhe se ishte interpretimi i një portali në atë kohë.
“Shkrimi nuk ka të bëjë kurrgjë me Vetëvendosjen. Ka të bëjë me dy emra: me Frashër Krasniqin edhe Dardan Molliqajn në atë kohë, të cilët e kanë përdorë vrasjen e Astrit Deharit, për kredi politike për veti”, ka thënë Abazi.
Fundi i vitit 2017 dhe fillimi i vitit 2018, ishte periudha kur shumica e tani zyrtarëve të PSD-së, ishin larguar nga Lëvizja Vetëvendosje, përfshirë Frashër Krasniqin.
“E gjithë ajo që është përkufizuar nga ‘Zëri’, si kritikë ndaj Vetëvendosjes, ajo është veç interpretim i lirë i gazetarëve që tentojnë të bëjnë tituj bombastikë. Kur po them gazetarëve, nuk po them kolektivisht gazetarët, por ata që e kanë bërë. Ndërsa, përmbajtja e artikullit ka të bëjë me veprimet, në mënyrë të posaçme, me letrën që ka dërguar Frashër Krasniqi nga burgu, duke e keqpërdorur edhe vrasjen e Astrit Deharit”, u shpreh ai më tej.
Pas interesimit të KTV-së, ish-deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi ka kërkuar nga Vetëvendosje që të distancohet qartë nga deklaratat e Abazit.
“Në kohën kur po e falin e i përulen Isa Mustafës e Skender Hysenit - që drejtonin pikat kyçe të pushtetit, kur vdiq në burg Astriti - shtizat i kanë kthyer bash kah shokët më të mirë të Astritit. Unë kam mbajtur burg me Astritin për një vepër që u dëshmua e montuar. Atëbotë, Hakiu na quante vrasës. Mjerim ku ka degraduar VV-ja. Mjerim kush flet sot për Astritin. Mjerim çka po përbijnë aktivistët e VV-së. Mjerim çfarë pushteti po na vjen. VV duhet të jap llogari për deklaratat e zëvendëskryeministrit në ardhje që në fakt mori rolin e prokurorit. VV duhet të tregojë haptaz se a pajtohet apo distancohet nga këto deklarata. Përndryshe ky do të shënohet si momenti i instrumentalizimit të Astritit nga pushteti i ri, për njollosje të kundërshtarëve politikë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.