Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AAK: Qeveria Kurti duhet të shkarkohet sa më shpejt

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se pas dyshimeve për dallavere me rezervat shtetërore dhe çështjen që librat shkollorë të blihen nga prindërit, nëpërmjet rimbursimit nga shteti, “Qeveria Kurti duhet të shkarkohet sa më shpejt”.

Në një konferencë për media të martën, ai ka thënë se qysh në fillim të shtatorit, do të synojnë një seancë të jashtëzakonshme me pikë të parë të rendit të ditës mocionin për shkarkim.

“Kjo qeveri e ka humbur rrugën, duhet që sa më shpejt të shkarkohet”, ka thënë ai.

Tahiri deklaroi se Qeveria Kurti nuk po e mban asnjë premtim të dhënë, por ka “vetëm fjalë dhe s’ka asnjë veprim”.

Për çështjen e teksteve shkollore, deputeti i AAK-së u shpreh se ky veprim po bëhet nga Qeveria për të provokuar greva.

“Ky vendim është për të provokuar greva, të dëmtojë arsimin publik dhe të krijojë edhe një krizë dhe të dëmtojë financiarisht qytetarin. Kjo situatë mund të përfundojë dhe të ndalet vetëm me shkarkimin e kësaj qeveri”, u shpreh ai.

Edhe Opozita sërish insiston në zgjedhje të jashtëzakonshme Arbëri 2 v. më parë Opozita sërish insiston në zgjedhje të jashtëzakonshme

Ndërsa, Tahiri kërkoi hetim të pavarur për ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, në lidhje me dyshimet për keqpërdorim me rezervat shtetërore.

“Për këtë skandal e hajni, për këtë vjedhje që është ashiqare, Qeveria hesht, e akuzon gjyqësinë dhe prokurorinë. Kosova udhëhiqet nga kjo qeveri që nuk i beson shtetit të vet. Kjo qeveri do të ketë sistem të vetin, paralel. Për me ndodh një hetim duhet të shkarkohet ministrja e MINT-it që sa më pak të jetë politika e ndikuar në hetim. Ky është skandal i përmasave vendore dhe ndërkombëtare, që lidhet me rezervat dhe Qeveria gjen kohë të drejtojë gishtin kah organet e ligjit”, ka shtuar ai.