Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AAK: Ligji i Pagave shpëton nga Kushtetuesja, nëse koeficienti është 129 euro

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka propozuar Qeverisë që vlerën monetare të koeficientit të Ligjit të Pagave ta caktojë në shumën prej 129 eurosh. Sipas shefit të grupit parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, një vlerë e tillë do ta shpëtojë Ligjin nga rrëzimi i tij në Gjykatën Kushtetuese.

129 euro duhet të jetë vlera monetare e koeficientit, në mënyrë që Ligji i pagave t’i shpëtojë Gjykatës Kushtetuese, kanë thënë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri theksoi se partia që përfaqëson nuk është e interesuar që ta rrëzojë ligjin, prandaj i kërkoi Qeverisë që ta shpëtojë atë nga Kushtetuesja, duke i dhënë një propozim.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka një porosi për kryeministrin dhe Qeverinë, në mënyrë që ky ligj të shpëtohet nga kontestimi në Gjykatë Kushtetuese, vlera e koeficientit duhet të jetë 129 euro”, ka thënë Tahiri në një konferencë për media.

AAK-ja, por edhe parti të tjera opozitare kanë paralajmëruar se do ta kontestojnë në gjykatë ligjin, sapo ta marrin vesh vlerën e koeficientit. E kryeministri tha një ditë më parë se vlera do të caktohet së shpejti.

Tahiri ngriti disa dyshime se pse Qeveria ende nuk e ka bërë publike shumën e koeficientit.

“Është e papranueshme që të mos përcaktohet vlera e koeficientit kur ligji është në fuqi dhe është i nënshkruar nga presidentja. Cili është qëllimi? A është qëllimi edhe qe më tutje që ky ligj të zhagitet, të shtyhet dhe të përdoret si instrument shantazhues apo çka?” ka thënë ai.

Edhe AAK-ja kërkon që koeficienti i pagave të bëhet 129 euro Arbëri AAK-ja kërkon që koeficienti i pagave të bëhet 129 euro

Në konferencën për media gjatë së cilës Tahiri foli për Ligjin e Pagave, akuzoi kryeministrin Kurti për shkaktim krizash.

“Ku ka prekur, krizë. Realisht, Albin Kurti ushqehet me kriza dhe e mban popullin duke e mbajtur në krizë e në tension”, ka akuzuar Tahiri.

Ligji i pagave është dekretuar dhe publikuar në gazetë zyrtare pa vlerën e koeficientit. Ai do të hyjë në fuqi më 5 shkurt.